Lifestyle > Kuzhina

Kjo do të jetë blerja më e shijshme në Panairin e Librit

Renato Mekolli sjell më në fund një libër recetash.

"Sekretet e shijes" do të sjellë në shtëpitë shqiptare recetat e një shefi kuzhine, të realizueshme me përbërësit më të thjeshtë për t'u gjetur. Shefi i njohur i kuzhinës, Renato Mekolli, heq dorë nga rreptësia e anëtarit të jurisë së "Master Chef", për t'iu kthyer qëllimit të vërtetë të ushqimit: të bëjë të lumtur çdo familje.

Në librin e tij me receta që janë po aq të thjeshta sa të shijshme, Mekolli nuk harron asnjë pjatë, nga antipastat tek ëmbëlsirat. Nuk duhet ndonjë teknikë për t'i gatuar; janë të krijuara dhe shpjeguara në mënyrë të atillë, që do të ndiheni si një shef i vërtetë kuzhine. Përveç kësaj, janë edhe shumë origjinale.

"Sekretet e shijes" do të mund ta bëni tuajin nga 9 nëntorit tek Panairi i Librit, në stendën e shtëpisë botuese "Dudaj".

Renato Mekolli tregon më gjerësisht për Anabel.al se çfarë do të gjeni brenda librit.

Çfarë recetash përmban "Sekretet e shijes"?

Libri im i parë, "Sekretet e shijes", ka një shumëllojshmëri gatimesh, nga supat tek antipastat, sallatrat, pastat, pjata kryesore, ëmbëlsira dhe çdo gjë tjetër që i duhet një libri gatimi.

Për një shef kuzhine me kaq shumë përvojë, si është të shkruash një libër me receta të thjeshta, të përditshme?

Është shumë e lehtë, pasi ky ishte qëllimi i librit tim: receta të thjeshta, me teknika, detaje, dhe me përbërës që i gjejmë kudo në Shqipëri, në çdo market.

Cilat janë gatimet e preferuara që nga fëmijëria, të cilat nuk rezistove dot pa i përfshirë tek "Sekretet e shijes"?

Ka shumë gatime që unë i kam futur në librin tim dhe që jam munduar t'i modernizoj, për të qenë sa më të qarta dhe me shumë shije. Supat janë disa nga nga ato që i mbaj mend nga mamaja ime dhe më kujtohet se kur përgatiste një supë, aroma përhapej kudo nëpër shtëpi. Sigurisht, këto unë i kam modernizuar, por jo vetëm këto; edhe shumë receta të tjera.

Artikuj të ngjashëm