"Paper Magazine" zgjodhi këtë javë Arselajda Burakun në rubrikën e modeleve të preferuara të momentit. Vite më parë, 22-vjeçarja ra në syrin e fotografëve shqiptarë për portretin interesant dhe tani, është pjesë e agjencisë amerikane të modelingut "Muse".
Ishte pjesë e velinave simpatike të "Telebingos", por Arselajda njihej edhe si një vajzë inteligjente, që flet disa gjuhë të huaja, mes tyre anglisht dhe një frengjishte të rrjedhshme.
Për revistën "Paper" shpjegon se modelingu për të është një art, ndërsa kohën e lirë e kalon duke lexuar poezi.
"Që e vogël e dija se doja të isha e lirë, ta doja trupin tim dhe të shprehja ndjenjat. Modelingu është mënyra më e mirë për ta bërë këtë."
Buraku tregoi se në New York shkoi me një valixhe, por që nga audicioni i parë për agjencinë "Muse", e kuptoi se do të qëndronte gjatë atje.
"Erdha nga Shqipëria në NYC me vetëm një valixhe. Shkova tek Muse dhe u tregova përvojat e mia. U pëlqeu energjia ime dhe menduan se kam një pamje shumë 'cool'. Kështu nisi gjithçka."
Arselajda ishte edhe pjesë e Javës së Modës në New York, ku sfiloi për markën "Hood by Air".
Në rrjetet sociale, shihet shpesh me dy modelet e tjera shqiptare, Xhesika Berberin dhe Adrola Dushin, të cilat gjithashtu janë shpërngulur në New York ku po kërkojnë suksesin ndërkombëtar.