Dashuri dhe seks > Zona ime nga Balina Bodinaku

E kujt i plasi për Xhorxh Klunin?!

"Nuk e di në ç’pikë reshtëm së qeni “qendra e botës” dhe i lëshuam vendin Xhorxhit."

Nga Balina Bodinaku ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

I dashur ditar,

Mbahu!

Xhorxh Kluni, u fejua. Po, po për atë e kam fjalën, për aktorin tim të preferuar … (fshije këtë!)

Aktorin e preferuar të mijëra, qindra mijëra a më shumë vajzave në të gjithë botën. Po flas për Xhorxhin brun, tërheqës (sidomos kur lë pak mjekër), atë qe ka fituar dy Oscar dhe është nominuar për katër të tjerë. Atë që i kaloi të gjitha në tapetin e kuq: nga kamarieret, deri te modelet, nga yjet e kinemasë, te ato të televizionit.

Atë që i martoi të gjithë miqtë e kolegët e tij (në fakt i pa të martohen, të ndahen, të martohen prapë, të bëhen me 1, 2 apo 8 fëmijë), ndërsa vetë betohej e stërbetohej në çdo media të mundshme se ai vetë NUK DO MARTOHEJ… KURRË.

E pra edhe ai u martua!

Xhorxhi, autori i të famshmes: “ Nuk më besojnë! U them qe s’do martohem kurrë dhe s’do bëj kurrë fëmijë, po nuk më besojnë. Vazhdojnë tentojnë dhe në fund zhgënjehen.”

Edhe ai u zu, pra. E kapën. E lidhën. Na e morën!

E qanë gazetat, e qanë televizionet, e qanë rrjetet sociale; kurrë më parë nuk e kam ndjerë vlerën e një beqari më shumë, a më pak në botë. Apo kështu ndodh kur je i bukur, i famshëm, gjithë humor e sharm, aktor Hollivudi që deklaron gjithë kohën se “nuk kapesh dot”?

Sikur s’më duket të jetë krejt kështu!

Se për shembull, nga të gjitha sa më sipër, kushëririt tim të preferuar I mungon vetëm një gjë: nuk është aktor Hollivudi. Po në çfarë alarmi u vu fisi ama! “Kush na qenka ajo që po na merr çunin? Prit ta shohim një herë!”

Një tjetër shok (edhe ai pa asnjë Oscar në xhep), më në fund vendosi t’ja prezantonte të dashurën shoqërisë. Duhej të kish qenë e rëndësishme, duke marrë parasysh se më pas ai u martua me të. Mirëpo ne, shoqet e tij, kurrë nuk e mësuam të vërtetën. Ishte ai që e mori vendimin? Apo ishte ajo, që i mbushi mendjen.

Do më? Ja, ky komshiu i katit të parë. As aktor, as i bukur, as me lekë, po ama me një benz 240 blu që e llustron çdo ditë që në pikë të sabahut dhe e parkon para dyqanit që ka improvizuar duke hapur ballkonin e njërës prej dhomave të shtëpise ku jeton me mamin, babin, vëllanë e martuar me dy fëmijë dhe motrën e madhe që, të shkretës, “ende s’i ka dalë fati”. Edhe ai (me gjithë tifozllikun që po bën tashmë gjithë lagjia) s’po e merr e s’po e merr dot atë të shkretin vendim ta prezantojë të dashurën e tij disa - vjeçare me mamin. Po helbete, si mund te merret kështu ky vendim?! Pse çun për të dhënë aq kollaj ka rritur mami? Gjithe ai çun, s’lëshohet lehtë. Prit një herë se kemi motrën që s’po na e merr njeri.

E di, e di. Sigurisht, jo të gjithë e mendojnë kështu. “Është çështje niveli me siguri, - do thuash ti, - çështje formimi, kulture, edukate familjare, etj.” Jam dakort. Jo të gjithë janë njëlloj. Ja për shembull, që të kthehem ku e nisa, Xhorxhi sigurisht që nuk jeton me mamin dhe babin. As nuk i merr leje njeriu se me kë del dhe a martohet a s’martohet. Ama si burrë beqar që është (më fal, ishte) i ka hak të gjithë titujt e komentet që e trajtuan fejesën e tij si zaptimin e një pasurie publike.

Hë tani, a ka faj gjithë dynjaja që u mërzit? ( E njejta dynja që u lumturua aq shumë me rastin e fejesës së Jennifer Aniston)

Do thuash ti: “Po ty ç’të djeg kaq shumë? Si e ke hallin? Po ty s’të erdhi një çikë keq që e zuri ajo tjetra Xhorxhin? C’i pa asaj një herë?!”

Në fakt, as që më plas fare për Xhorxh Klunin! Por kur mendoj sa Xhorxha kemi përreth, më djeg që ç’ke me të! Se sesi më vjen që për mua dynjaja mërzitet më pak se për një Xhorxh.

Nuk dua hiç të besoj që ajo komshija e katit të parë e dashka më shumë çunin e saj (që refuzon ta lëshojë) se sa ç’më do mami im mua (që mezi po pret të më martojë). Dhe pastaj, se si më duket që ai barkaluci me benz blu kapardiset duke lëshuar deklarata a la’ Xhorxh Kluni se s’ka lindur akoma ajo që t’i marrë “lirinë”, ndërsa e dashura e tij simpatike thjesht bën sikur nuk dëgjon. Nuk më pëlqen kur shoh se si një shoqe hyn në një marrëdhënie për t’u lidhur, ndërsa i dashuri i saj e pranon lidhjen me kushtin që të mos lidhet (dhe me ca kushte të tjera).

Më duket mua, apo na mbytën Xhorxhat… mamat e Xhorxhave, motrat e Xhorxhave, kushërirat e Xhorxhave, shoqet e Xhorxhave, gratë dhe të dashurat e Xhorxhave, e sigurisht gjithë të tjerat në pritje të Xhorxhit?

Ka një gjë që s’shkon këtu.

Nuk e di në ç’pikë reshtëm së qeni “qendra e botës” dhe i lëshuam vendin Xhorxhit, po nuk më pëlqen. Dhe nuk më pëlqen fare, po fare, që vazhdojmë ta bëjmë këtë çdo ditë. Sepse si një kushërirë e shoqe Xhorxhi që jam edhe unë, e di se pas një Xhorxhi qëndron gjithmonë një grua ( ose shumë gra) që e bënë atë të tillë.

Prandaj me bindjen se ka qenë me siguri një grua e mençur që na ka thënë dikur të mos e bëjmë në det, se ndryshe një ditë kripa do na e sjellë në gjellë, unë tani filloj autokritikën:

Kërkoj ndjesë për gjitha herët që kam gjykuar të dashurat e shokëve, apo kushërinjve të mi për gjëra që i kam bërë dhe vetë (përfshirë dhe ndonjë kontroll të vogël, të pafajshëm thjesht për të qenë e sigurt që çdo gjë shkon si duhet). Kërkoj ndjesë për ato herë kur i kam thënë atij se ai është njëqind herë më i mirë se ajo (këtë s’më kujtohet ta kem bërë, po e thashë për të qenë brenda). Atë herën kur i thashë kushëririt tim se e dashura e tij atë foton në Facebook e kishte nxjerrë për të bërë publike lidhjen me të… këtë gjë e tërheq, se nuk kam asnjë provë. Ajo mund ta ketë nxjerrë foton edhe thjesht sepse i ka pelqyer. (Po edhe nëse e ka nxjerrë për të ndarë me të tjerët lidhjen e saj, mirë ka bërë. Është e drejta e saj. E pse duhet ta mbajë të fshehtë? Apo se dikujt i pëlqen të besojë se një Xhorxh i lirë më shumë është më mirë se një Xhorxh i lirë më pak. )

Kaq, se s’më kujtohet të kem bërë më shumë gjynahe.

A po, edhe një të fundit.

I kërkoj ndjesë Amal Alamuddin-it (të fejuares së Xhorxhit prej vërteti) për statusin që vura në Facebook. As që më vjen fare keq që më në fund ai u fejua. Madje meqë dhe më pëlqen si aktor, m’u bë shumë qejfi që edhe atij i doli më në fund fati.

E çfarë fati! Një super vajzë: bukuroshe, e diplomuar në Oxford, profesioniste e zonja, një nga avokatet më në zë të Londrës, me gjuhë të huaja, ish-këshilltare e Kofi Annan, e ish-kryeministres ukrainase Yulia Tymoshenko, avokate e Julian Assange dheeee… 16 vjet më e re se Xhorxhi.

Ajo ia doli aty ku shumë të tjera para saj kishin dështuar. Thonë revistat, se ajo i kishte refuzuar disa herë ftesat për darkë që i kishin ardhur nga ai. E më pas, kur më në fund vuri në gisht unazën, zyra e saj e avokatisë u kujdes të bënte publik dhe lajmin. Well done goca! Krenare për ty. Urime Amal dhe paç fat! Ta gëzosh Xhorxhin, se i mirë është vërtet, po pisk e ke punën (sdomos tani që e morën vesh të gjitha që edhe ai mund të martohet). Gjithsesi mos harro! Ti je 100 herë më e mirë se ai. Sinqerisht e them.

Të kishe qenë dhe bionde, do kishe qenë perfekte :)

Artikuj të ngjashëm

. .