Dashuri dhe seks > Historia Ime

Rrëfimi optimist i 30 vjeçarit me HIV: Jeta të kërkon ta sfidosh

Historia e vërtetë e një shqiptari të diagnostikuar me AIDS.

Foto Ilustruese

"Kurrë mos paragjykoni një të infektuar me këtë virus!"

Mendimi i parë që natyrshëm i kalon nëpër mend një të prekuri nga HIV? Jeta do ndryshojë rrënjësisht. Pas diagnozës nis mbyllja në vetvete, periudha e ankthit, mendimet e errëta, ndonjëherë deri në dhënien fund të jetës. Në këto pak fjali mund të përmblidhet ndjeshmëria që ka shfaqur fillimisht një 30-vjeçar pasi mori rezultat pozitiv nga diagnostikimi me HIV. Ai e rrëfen historinë për Anabel.al jo si një dëshmi vuajtjeje dhe dorëzimi, por shprese dhe më së shumti sfide. Çdokush mund të ishte dorëzuar pas njohjes së diagnozës, mund ta shihte të vështirë ecjen përpara dhe kurimin e gjatë dhe të lodhshëm, kësisoj lufta me jetën do të ishte e humbur. Por, historia në vijim tregon nuk ishte ky rasti...

-HIV pozitiv. Ja si ndryshoi jeta e 30 vjeçarit pasi mëson diagnozën.

Unë jam një djalë tek të 30-at. Para një viti u diagnostikova si bartës i HIV pozitiv nga një ekzaminim mjekësor rutinë. E zbuloi një mikesha ime e fëmijërisë që është laborante në një klinikë private. Kisha simptomat e një gripi pak më të vështirë se herët e tjera, temperaturë që herë më rritej e herë më normalizohej, por jo aq alarmante; më shumë më shqetësoi problemi me frymëmarrjen dhe bllokimin e fytit. Për ditë me radhë më iku fare zëri dhe nuk merrja dot frymë, natën nuk flija dot nga kolla. Një Zot e di se ç'kam hequr në atë kohë, sa më tmerron vetëm kujtimi. Zgjohesha natën, zgjohej edhe nëna, që më bënte banja me avuj të ngrohtë, më jepte lloj e lloj shurupesh e mjekimesh me barna farmaceutike e popullore. Fillova të normalizohesha pak nga pak, shkova të bëja një PCR (ekzaminim, analize gjaku) sipas këshillës urgjente të mikes time kardiologe, pasi që në fëmijëri vuaj nga një anomali në zemër, por që nuk përbën problem nëse unë ruhem nga gripi apo infeksionet. Në klinikë i them mikes sime që të më bëjë dhe një test Hiv. Prita rreth një ore në kafe dhe në analiza dalloj dhe rezultatet jo dhe aq alarmante, por nuk shquaja përgjigjen e testit HIV dhe me të drejtë e pyes miken me të qeshur. Shoh një reagim normal duke anashkaluar përgjigjen, ose më saktë nuk më la gjë të kuptoja. Ajo e hidhte fjalën tek-tuk tek HIV për të parë reagimet tona. Të them të drejtën, ime më, rreth të 60-ve, ishte kaq e informuar, saqë më habiti me arsyetimet e saj. Kaluan disa javë dhe mikesha ime më fton nga telefoni për një kafe, pasi i nevojitej ndihma ime për një çështje. Si tani e kujtoj seriozitetin që pati kur mbylli derën e zyrës, pasi i duhej të më komunikonte diçka. "Ka të bëjë me shëndetin tënd."-më tha. Sa nuk më ra infarkt në atë çast, e mora me mend, sikur ma ndjeu. U zverdha, pata aritmi, luhatje tensioni, pashë sesi po venitesha sekondë pas sekonde. Ajo më jepte kurajo me të gjitha mënyrat, më thoshte të mos mërzitesha se tashmë mjekësia dhe shkenca kane evoluar si me trajtimet ashtu dhe me mjekimet, saqë kjo sëmundje nuk është më vdekjeprurëse si dikur. Të gjitha planet e mia për jetën u dogjën në çast...E gjithë jeta ime u duk se mori fund aty në atë moment. Por, e mblodha veten dhe pas rekomandimit të mikes shkova tek Instituti i Higjenës, pasi aty mund ta konfirmoja zyrtarisht.

Përballja me sëmundjen

Bëra si bëra, me lot në sy e me trurin që nuk punonte, shkoj e bisedoj me tim vella, i cili e vuajti më keq se unë atë çast, saqë më ndaloi rreptësisht të bëja ekzaminime të mëtejshme e të më qetësonte duke më thënë se s'kisha asgjë dhe se çdo gjë ishte e gabuar. E binda dhe të dy shkuam tek IKV për analizat. U prezantua ai dhe jo unë sikur të ishte vullnetar për t'u informuar rreth kësaj sëmundje. Një psikologe na priti ngrohtë duke na informuar se HIV është një virus, por jo vdekje, pasi në ditët e sotme askush nuk ka vdekur sot për nesër, madje të prekurit jetojnë jetë normale pa qenë nevoja edhe të trajtohen me mjekime për disa vite me rradhë. U qetësuam disi dhe vullnetarisht bëmë analizën Elise, duke mos dhënë fillimisht identitetin tonë real. Të nesërmen merrej pergjigja. Gjithë natën nuk kam fjetur, makthe, ëndrra me syhapur, lutje për orë të tëra drejtuar Zotit. Mendoja dhe gënjeja veten sikur rezultati të më nxirrte negativ, u përpoqa dhe arrita deri aty sa të planifikoja të vetëvritesha, aq shumë i ngarkuar psikologjikisht isha. Pastaj mendova: Jeta është e gjatë...pse duhet t'i lija një plagë familjes sime? Të nesërmen pasdreke shkova të merrja përgjigjen.

Gjithmonë ka shpresë...

Të nesërmen nisem drejt Spitalit Infektiv tek Nënë Tereza dhe përpiqem të kontaktoj me një infektolog, profesor i nderuar, i cili më priti qetësisht dhe butësisht. U ngrit në këmbë, e lexoi dhe me një qetësi për t'u pasur zili më perqafoi duke më thënë: "Në këtë stad që ti je edhe një sportist duhet të të ketë zili për shëndetin që gëzon. Do jetosh deri 90 vjeç dhe do trashëgohesh me nipër e mbesa të shëndetshme". Shtanga, zgurdullova sytë nga habia dhe mendova për çfarë po thoshte. Në koridoret e spitalit takojmë një mjeke fare të re në moshë dhe shkojmë në laborator ku më bëjnë edhe njëherë një analize gjaku dhe më rikontrollojnë imtësisht në çdo pjesë të trupit duke më pyetur vazhdimisht se çfarë shenjash kisha përjetuar gjatë kësaj kohe...kur ishte kontakti im i fundit seksual etj? Në fakt kisha disa muaj që nuk kisha kryer marrëdhënie, fillova te dyshoja sesi dhe kur duhet ta kisha marrë?! Mjekja e re më hapi kartelën edhe pas dhjetra kundërshtimeve të mia për të ruajtur anonimatin se nuk kisha besim. "Jo çdokush që është i infektuar me HIV domosdoshmërisht ka SIDËN dhe do vdesë sot për nesër...Do të të duhen dy ose tre dekada kur kjo sëmundje të avancojë, por deri atëherë ne do ta luftojmë që të mos përparojë."-më tha ajo. Sipas mjekes, një i infektuar me HIV duhet të bëjë një jetë sa më normale, të qetë, pa strese, të ushqehet mirë dhe shëndetshëm dhe të ruhet sa më shumë nga rreziqet inflamatore. Pas disa muajsh, nisa trajtimet mjekësore...Unë që kurrë nuk kisha pirë një paracetamol, iu nënshtrova kurave të forta që më dobësuan organizmin. Kurat antiretrovirale janë shumë toksike, por të ndihmojnë në rritjen e imunitetit, shënjestra e vetme që HIV vret qelizat CD4+T përgjegjëse për mbrojtjen e imunitetit. U bë më shumë se 1 vit e gjysmë që rifitova besimin tek vetja, fillova të merrja peshën e humbur, efektet anësore u zhdukën ngadalë dhe tani jetoj më normal se njerëzit normal. Kam filluar të studioj rreth këtij virusi dhe të kujdesem për veten në imtësi. Nuk kam qenë kurrë përdorues i duhanit, apo i alkolit e aq më tepër i drogës më të lehtë...Informohuni më tepër rreth kësaj sëmundje...Ajo nuk zgjedh, por gabimisht me apo padashje, e marrim. Kryesorja është ta njohim që në fillim duke bërë ekzaminimet përkatëse dhe të mbrohemi...Unë nuk ndryshoj aspak nga ju...përkundrazi, jam kaq vital sa askush nuk dyshon.

Çfarë i kërkon jetës?

Vuajtja është brenda meje, në shpirtin tim, pasi nuk e kam të lehtë të krijoj një marrëdhënie stabël me një vajzë. Përderisa jetoj dhe jam normal, duhet të njoh dikë që të më kuptojë. Unë kërkoj një shoqe të jetës si unë, pasi e di që kurrë s'do më pranojnë. Të paktën të mbështetemi tek njeri-tjetri dhe të jetojmë për aq sa mundemi, si gjithë të tjerët. Herën e fundit kur shkova në konsultim, takoj një çift që zotëria ishte diagnostikuar si HIV pozitiv përpara shumë vitesh dhe janë bërë me fëmijë që rezulton negativ. I infektuari i parë rezulton që në vitin 1993 dhe jeton shëndetshëm, madje ka lindur dhe fëmijën e fundit, duke mos infektuar as gruan për kaq shumë vite. Mendoj se njeriu jeton për një motiv, për një shpresë dhe jo për një sekret me frikën që po të zbulohet do të paragjykohet duke ia vështirësuar akoma më shumë jetën e mundimshme. Këshilla ime: Mos paragjykoni kurrë një të infektuar me HIV!

Artikuj të ngjashëm