Rasti i Eshref Berishës nga Komuna e Rahovecit mund të jetë më i veçanti që keni dëgjuar ndonjëherë. Ai është 53 vjeç dhe ëndërron të flejë si njerëzit normalë, të paktën njëherë në jetën e tij.
Eshrefi në pamje të parë duket si një njeri që ka fjetur mjaftueshëm dhe plot energji. Nuk dallon asnjë shenjë lodhjeje ndonëse ka gjithë jetën që nuk bën gjumë. Berisha, i lindur në 11 gusht të vitit 1963, ka bërë jetë dhe gjumë normal deri në moshën 16-vjeçar, kur i’u nënshtrua një operacioni në veshka.
“Unë kam bërë një gjumë të rëndë deri në moshën 16-vjeçare e atëhere kam pësuar një ndryshim të madh të gjumit, pasi jam bërë operacin në veshka dhe më kanë dhënë më shumë seç duhet narkozë. Që prej atij momenti kam parë një ëndërr dhe kur jam zgjuar nuk kam patur më ndjenja që duhet të flija gjumë, asnjëherë”, tregon Berisha.
Edhe çrregullimin me gjumin ai e lidh pikërisht me këtë operacion. Ndonëse për këtë situatë i është drejtuar dhe një mjeku në Gjermani, nuk ka arritur të gjejë shpjegim. Familja e tij e përbërë nga gruaja dhe fëmijët nuk shqetësohen më për gjendjen e tij. Ndërkohë që ata flenë, Eshrefi bën plane gjithë natën deri në mëngjes.
“Kam ëndërr të fle njëherë tetë orë gjumë si të gjithë njerëzit”, shprehet ai për Balkan Web.