Vjollca Vokshi, folësja që ndryshoi stilin e dhënies së lajmeve në vitet '90 u kthye në Shqipëri pas 10 vitesh. Prej shumë kohësh jeton në Venezuelë me bashkëshortin, por ndonëse është zhdukur nga ekrani, shumë njerëz e kujtojnë si të parën folëse lajmesh me një stil të lirshëm përpara kamerës.
Deri atëherë lajmet prezantoheshin me një qëndrim serioz dhe me një ton klasik zëri, mjaft të kujtohet folësja e njohur Tefta Radi. Kurse Vokshi shfaqi një natyrë më të lirshme në edicionet informative të Televizionit Publik Shqiptar, në frymën e televizioneve italiane dhe të tjerëve të huaj.
Më tej Vjollca Vokshi, motra e deputetes së PD-së Albana Vokshi u përfshi në politikë, duke i shtuar dhënies së lajmit akoma më shumë ngjyrim, larg objektivitetit tradicional të folësve të lajmeve.
Ndërsa Vokshi solli një frymë të re në studion e lajmeve, një Vjollca tjetër i bëri burrat shqiptarë të ndiqnin motin me të njëjtën kërshëri si futbollin. Me një fytyrë tërheqëse, flokët biondë dhe dekolte më të hapur se ç'kishin parë ndonjëherë shqiptarët në televizion deri atëherë, Vjollca Pepa e ktheu rubrikën e motit nga një raportim i mërzitshëm, në një 3-minutësh që pritej me kurreshtje.
Ishte një "revolucion". Bëhet fjalë për shumë vite përpara se Luana Vjollca të prezantonte motin në Top Channel, kur Shqipëria sapo ishte 'zbërthyer' nga këmishat e rënda me vata të folëseve në televizion. Pepa iu largua ekranit për të mos u shfaqur më publikisht.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.