Duket sikur vitet e fundit, palestra nga një formë për të mbajtur trupin të shëndetshëm, është kthyer në një formë konformizmi. Sipas “The Independent”, tendenca është kaq e fortë, saqë tashmë është shpikur dhe termi “spornoseksual” për të përcaktuar të gjithë njerëzit që ndajnë fotografi në rrjetet sociale teksa ushtrohen në palestër.
Mirëpo ndonëse u shpërnda në mënyrë të frikshme që prej vitit 2014, “spornoseksualiteti” daton më herët, në vitin 2008. Sipas “Active People Survey”, që nga viti 2008 e deri në vitin 2014, ka patur një rritje të papritur të njerëzve që frekuentojnë palestrën, kryesisht të moshave 16 deri në 25 vjeç. Në vitin 2009, kopertina e ‘Men’s Health” u kthye në më të shiturën në tregun e revistave për meshkuj. Ndërsa në vitin 2014, produktet për mbajtjen në formë të trupit nëpër supermarkete, u rritën me 40%.
Tashmë, jemi të gjithë familjarë me imazhet e panumërta nga palestra, që publikohen çdo ditë në Instagram dhe Facebook. Për disa, kjo mënyrë jetese, është kthyer në biznes. Trupi muskuloz dhe regjimi ushqimor janë dy prej mjeteve që djem dhe vajza të ndryshëm po përdorin për të shtuar numrin e ndjekësve si dhe për të përfituar në këtë mënyrë nga sponsorat që afrohen pranë tyre. Ndërsa për disa të tjerë, është thjesht një mënyrë për t’u bërë pjesë e një komuniteti të caktuar.
Në të dyja rastet, “spornoseksualiteti” është në fund të fundit gjë element pozitiv i kulturës, përfitimet e të cilit duket se i tejkalojnë kostot.