Metropolitan > Dalina@Anabel

6 mënyra se si të ruani veten nga denigrimi në Internet

Nga Telegram tek paranoja: Ja si t’i shpëtoni keqdashësve në rrjetet sociale!

Shikoni fotot e tjera!    v      
1. Përdorni aplikacione të sigurta!
Ekzistojnë disa faqe në Instagram që zbardhin komunikime në Whatsapp të njerëzve të panjohur duke nisur nga mesazhe seksuale e deri në mesazhe që mund të denigrojnë imazhin e tyre. Për këto faqe, nuk ka rëndësi konteksti në të cilën është zhvilluar një komunikim I caktuar, por aq dialog që ata zgjedhin të publikojnë, mund të shkaktojë dëme të pariparueshme tek njerëz të përfshirë në bisedë. Ndaj kujdes! Nëse janë biseda intime, përdorni aplikacione si Telegram, ku mesazhet vetëshkatërrohen siç doni ju t’i programoni. Në rast se personi me të cilin komunikoni i bën screenshot dialogut, atëherë Telegram të njofton për këtë dhe ju mund të komunikoni drejtpërsëdrejti me personin për ta pyetur për qëllimin e këtij “screenshot”-i. Nëse e programoni që komunikimet tuaja të fshihen pas 3 sekondash, atëherë do të ndiheni më të sigurt në atë çfarë thoni.
2. Mos ndani intimitetet tuaja me njerëz që nuk i njihni mirë!
Është vonë në darkë, biseda me dikë në Whatsapp apo Facebook po ju shijon, aq shumë saqë keni dëshirë ta çoni në një nivel tjetër, më intim. Por përmbahuni! A jeni e sigurt se e njihni mirë personin të cilit/cilës do t’i çoni foto nudo tuajat apo do të bëni sexting? Në atë moment, mund të flasë më shumë pija apo eksitimi, sesa logjika, por mendoni për pasojat që mund të ketë një bisedë intime me të panjohur. Në inboxin e faqes së Anabel në Facebook, vijnë shumë shpesh letra nga vajza të cilat na tregojnë si shantazhohen me publikimin e mesazheve/fotove intime nga meshkuj të cilët i kanë njohur virtualisht ose fizikisht për një kohë të shkurtër. Këto histori ndodhin shpesh, ndaj ruajeni intimitetin tuaj vetëm për partnerë me të cilët keni një kohë të gjatë në lidhje dhe e ndjeni që gjërat janë serioze.
3. Bëni foto erotike gjatë seksit por me celularin tuaj!
Seksi është diçka shumë private dhe në eksitim e sipër tolerohen gjithçfarë lodrash e fantazish. Askush nuk mund të gjykojë krevatin, por mos harroni që edhe në momentet më intime, truri ende funksionon. Ndaj vijeni atë në përdorim për sigurinë tuaj. Nëse partneri kërkon të xhirojë aktin seksual apo t’ju bëj foto nudo, ofroni celularin tuaj. Nëse ai ofendohet duke përdorur “mungesën e besimit” si arsyetim, atëherë mendoni për një sekondë: Po sikur të ndodhë siç i ndodhi Tizianës? Po sikur të ndaheni dhe videot në celularin e tij të përdoren si hakmarrje? Po sikur ai ta lërë celularin diku dhe një miku i tij t’I përdorë ato? Po sikur një ditë një e dashur e re e tij mund të hakmerret ndaj jush? Të ardhmen nuk e parashikojmë dot, por ne kemi në dorë të parandalojmë të këqiat që mund të na ndodhin. Ndaj mos pyesni se çfarë ndjen partneri në moment, siguroni veten tuaj! P.S. Dhe mbasi t’i keni xhiruar ato video, nëse doni t’i ruani, hidhini në një Drive, aksesin ndaj së cilës e keni vetëm ju. Sa më pak informacione në celular apo në iCloud, aq më të qeta do të jeni.
4. Takohuni ose flisni në telefon!
E çuditshme por ndonjëherë, trafikantët e drogës apo politikanët mund të bëhen shembull i mirë për mënyrën se si komunikojnë sekretet e tyre. Ata evitojnë mesazhet në celular dhe gjithmonë flasin në telefon ose vendosin të takohen ballë për ballë. Ja pra edhe ju mund të mësoni nga më paranojakët, për të siguruar veten tuaj. Në rast se keni një intimitet për të ndarë me dikë, takojeni atë dhe në rast se nuk keni shumë besim tek ai njeri, mos e paralajmëroni për qëllimin e takimit! Nuk i dihet se kur ai nisë të të regjistrojë në celular! E njëjta gjë vlen edhe për bisedat në telefon. Merreni menjëherë dikë, qoftë edhe me numër privat, për të komunikuar diçka të rëndësishme.
5. Nëse doni të ruani jetën private, bëjeni!
Një vajzë na shkruante se motra e saj ishte e tronditur, kur kishte parë veten në një faqe në instagram, ku komentohej pamja e saj dhe gjithçfarë të pavërtetash për jetën private nga njerëz të panjohur. Vajza e sulmuar ishte mbyllur 1 javë në shtëpi dhe vetëm qante. Kur shkuam të kontrollonim instagramin e saj, e pamë që ajo kishte zgjedhur opsionin “publik”. Nëse ju zgjidhni që jetën tuaj të përditshme dhe fotot që publikoni t’i shohin edhe të panjohur, atëherë prisni edhe fyerje publike. Njerëzit nuk mund t’i kontrollojmë dot, por nëse ju doni të ndani jetën tuaj në siguri të plotë, atëherë mbylleni instagramin dhe lejoni t’ju ndjekin vetëm miq që ju i njihni nga afër dhe keni besim tek ta. Mos shfryni për të panjohur që ju shajnë pa të drejtë. Bota kështu është, njerëzit do komentojnë, do fyejnë e do përpiqen të shkatërrojnë imazhin e dikujt thjesht për argëtim. Rrini ju në vigjilencë!
6.Besoni sa më pak!
Është “e dhimbshme” t’ju themi që të kultivoni paranojën, por epoka moderne virtuale është e pamëshirshme. Jo vetëm vajza e djem të bukur bëhen pre e talljeve publike, por edhe prindërit tanë nëpër rrugë, autobuza e në dyqane. Besoni vetëm tek familja juaj dhe miqtë që i njihni prej vitesh. Kushdo tjetër që ju mund të njihni, qoftë në shkollë, qoftë në Facebook, qoftë në punë, ndoshta nuk do të ketë të njëjtën ndjeshmëri ndaj jush si ata që të të njohin më mirë. Dhe në fund: Nëse ndiheni të shantazhuar, besoni edhe tek një avokat i mirë, pasi çdokush që shantazhon e kërcënon një individ, duhet të penalizohet.

Historia e Tizianës në Itali - vajza që u vetëvra, pasi video e saj e seksit bëri xhiron e internetit dhe u komentua nga qindra-mijëra të panjohur – nuk është e paprekshme edhe në Shqipëri. Rrjetet sociale dhe komunikimet në Whatsapp u kanë hapur rrugë shumë të panjohurve që të shfrytëzojnë foto apo video intime për qëllime të ndryshme që nisin nga një shaka e thjeshtë deri tek qëllime keqdashëse hakmarrjeje.

 Të vënë përballë një mësymje të panjohurish që kërkojnë me kusht të denigrojnë jetët private të njerëzve jo-publikë, është e nevojshme që të mësojmë si t’i parandalojmë. Shfletoni galerinë!

 

 

 

 

 

 

 

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm