Metropolitan > [email protected]

Rrepistët e kanë kuptuar gabim: Burrë nuk është ai që të rreh, por ai që hesht!

Shënim për burrat që flasin për gratë që kanë patur    

Nga Dalina Buzi ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

 Nuk jam aspak partizane e sherreve fizike, por nuk e di pse nuk pata asnjë ndjesi (as të mirë dhe as të keqe) kur mësova për sherrin e dhunshëm midis Noizyt dhe Cozman dhe aq më e ftohtë isha kur lexova se sipas miqve të afërt të këngëtarit nga Dibra, shkaku ishin fjalët që Noizy kishte thënë për Tunën. Isha e ftohtë, sepse intuita më kishte thënë prej kohësh, që një gjë e tillë do të ndodhte.

Personalisht kam respekt për artistët që punojnë si puna e Noizyt dhe e vlerësoj për këtë, por nuk kam asnjë respekt për meshkujt që flasin. Aq më tepër, kur meshkujt flasin për vajzat që kanë patur qoftë në shtrat, apo qoftë edhe në sms celulari. Kur dëgjoja Noizy-n që e pranonte se kishte kaluar një “fling” me Tunën në emisionin e Ermal Mamaqit “7 ditë pa Ermalin” dhe më pas kur komentonte lidhjen Cozman-Tuna si lidhje mes dy femrash, gjatë emisionit “Zonë e lirë” të Arjan Çanit, më dukej sikur dëgjoja shokët e mi të klasës së tretë në fillore që bërtisnin cepave të shkollës se “Filanen e zura unë” ose “E putha unë” edhe kur nuk ekzistonte, vetëm e vetëm që të konfirmonin “burrërinë e tyre” kur ata akoma s’kishin hyrë në pubertet.

Kur e shihja këtë “ves” fëminor të përsëritej edhe tek meshkujt adultë nën shprehjen e ndyrë “Atë e kam q… unë” , më krijohej përshtypja se ata kishin ngelur në vend, se kishin gjetur “prehje’ në numërimin e marrëdhënieve si një fitore e seksualitetit të tyre. Kaq naivë më dukeshin, sa nuk kuptonin që me atë mburrje, vetëm sa kishin humbur burrëri dhe ende s’kishin kuptuar që akti i penetrimit në vetvete nuk është asnjë lloj fitoreje, nëse nuk shoqërohet edhe me një kënaqësi reciproke dhe më pas nga një respekt për njeriun me të cilin ti ke ndarë një intimitet, më të madh se ajo ç’ka ndan me shumë prej shokëve meshkuj.

Ka një gjë shumë burrërore tek heshtja. Nëse i kthehemi historisë dhe letërsisë, nuk janë të pazakonta aktet e tradhëtisë që shumë meshkuj kryenin ndaj bashkëshorteve të tyre, sidomos në rastet kur atyre u duhej të largoheshin nëpër luftëra për muaj me rradhë. Histori me kurtizane apo me vajzat e fshatit/qytetit ku stacionoheshin janë të panumërta, aq sa kanë qënë e janë të panumërta edhe prostitutat, një prej profesioneve më të vjetra në botë, të cilat lindën si nevojë e tregut (meshkujt).

Por pavarësisht se çfarë emri i vëmë këtyre “arratisjeve seksuale” sot, kishte një gjë shumë të ndershme në të gjithë këto tradhëti: Ekuilibri. Këta burra ishin të aftë të ndanin një moment shfryrjeje nga një jetë me nënën e fëmijëve të tyre. Çfarë ndodhte me një kurtizane apo vajzë të rastësishme përfundonte aty. Mund të diskutohej me shokët më të afërt, por nuk zgjaste më shumë se 24 orë. Këta burra ishin të aftë të mos përfshiheshin emocionalisht dhe të mos lejonin asnjë ndikim në qëllimin e tyre më të madh: Të ruanin një familje të shëndetshme.

Biologjia dhe antropologjia me kohë e ka justifikuar nevojën mashkullore për tradhëti dhe për seks rastësor, por politika dhe feja i imponuan shoqërisë, imazhin e mashkullit të ndershëm e të pastër, edhe pse pa sukses, përderisa çdo vit dëgjojmë për politikanë e fetarë që shkelin “kodet” e vendosura nga paraardhësit e tyre. Shtoji këtu edhe zërin e kategorisë së të rinjve pa eksperiencë martesore dhe atyre që “duan të fshehin” sekretet e tyre e bërtasin kundër dhe sot kemi një përçudnim të të vërtetës mashkullore, aq sa gjendemi mes dy ekstremeve. Nga një anë janë meshkujt që mburren zëlartë se janë e do të jenë gjithmonë besnikë të grave të tyre dhe çdo kush që vepron ndryshe është mëkatar dhe nga ana tjetër, janë meshkujt që mburren për bitches që u kalojnë në duar nga nata në natë. Në të dyja rastet, kemi një frustrim të përgjithshëm mashkullor për t’i shpëtuar të natyrshmes historike.

Kur Noizy apo dikush tjetër vendosë të flasë publikisht për një histori të kaluar me një femër, pa miratimin e saj, duke e trajtuar atë në sfondin e një “aventure seksuale” ka thyer një kod burrëror. Me ose pa dashje, ai ka treguar një dobësi të cilën mund ta justifikojë edhe si “pranimi i një të vërtete”, por që askujt, vetëm para-pubertistëve mund t’i ngjajë si e tillë. Të tjerët e dinë fare mirë që këto deklarata janë të panevojshme dhe nuk shtojnë asnjë pikë në burrëri, përkundrazi, dëshmojnë për dikë që ka nevojë si ata djemtë e klasës së 3-të, të konfirmojë seksualitetin.

Pavarësisht se sa mundohen rrepistët të imponohen me aktet e tyre mashkullore të goditjes me grushta apo të udhëtimeve me makina të shpejta e me AK-46 në duar, janë disa akte të vogla ato që bëjnë dallimin. Duke nisur nga akti i heshtjes dhe respektit për të kaluarën. Që ndryshe përkthehet në akt xhentëllmeni. Noizy mund të ketë goditur me grusht e të ketë hedhur në tokë #teamcozman, por ai betejën e ka humbur në ringun e xhentëllmenëve.

Fatkeqësisht, burrëria e sotme që na serviret nga këta djelmosha të muzikës, është një përzierje e keqe midis burrit historik që e zgjidh problemin me grushta dhe burit modern që hapet studiove e instagramave me numërime ish-dashnoresh, deklarata të njëpasnjëshme dashurie apo foto post-seksit në krevate. Sikur vetëm këta lloj meshkuj të përdornin më shumë mendjen dhe më pak gojën…do të ishin si Tuna, e cila nuk foli kurrë. Mesa duket edhe njëherë, gratë po dalin më të mençura.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .