Historia e këtij çifti nga Britania mund të jetë lamtumira më e trishtuar që keni njohur ndonjëherë! Pasi kanë kaluar pothuajse gjithë jetën bashkë, Wolfi dhe Anita nga Britania janë të detyruar të jetojnë larg njëri-tjetrit sepse në shtëpinë e të moshuarve nuk ka vend për të dy.
Çifti nga Surrey janë bashkë që prej vitit 1954 kur u martuan, ditë prej së cilës nuk janë ndarë asnjë moment. Pas 62 viteve sëbashku, ata kanë 8 muaj që jetojnë larg njëri-tjetrit në shtëpitë përkatëse të cilat nuk mund t’i strehojnë të dy. Përpos dhimbjes së ndarjes, vuajtjeve të tyre i shtohet dhe shëndeti që përkeqësohet dita-ditës. Daily Mail e ka bërë publik rastin me qëllimin që ata ta kalojnë kohën e mbetur në shoqërinë e njeriut që duan.
Fillimisht ishte mbesa e tyre ajo që postoi në profilin e saj në Facebook situatën në të cilën ndodheshin dy të moshuarit. “Pas 62 vitesh bashkë, ata janë bërë të pandashëm. E bëjnë çdo gjë sëbashku. Ata qajnë sa herë takohen sëbashku, tanimë nuk i japin dot puthjen e ‘natës së mirë’ njëri-tjetrit dhe kjo i gjë i bën të vuajnë”, shkruan ajo.
Wolf është diagnostikuar me dementia dhe limfomë, dhe pavarësisht se familjarët bëjnë të pamundurën që çifti të takohet të paktën 30 minuta në ditë, duket se kjo nuk e zgjidh situatën. Fotografia ku ata të dy janë duke qarë teksa rrinë në shoqërinë e njëri-tjetrit është njëra nga pamjet më prekëse të shkrepura ndonjëherë. Kush tha që dashuria e vërtetë nuk ekziston?