Prokurorja shqiptaro-amerikane Suzana Shkreli, e cila vetëm pak kohë më parë ndodhej në Tiranë për një bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, ka marrë nominimin si kandidate e Partisë Demokratike për në Kongresin Amerikan, si përfaqësuese e shtetit të Miçiganit.
Siç ka raportuar “Lapsi.al”, lajmi është bërë i ditur nga diplomati Mal Berisha në Facebook, i cili u ka bërë thirrje shiptarëve të Amerikës që të mbështesin prokuroren shqiptare në këtë hap të madh të karrierës së saj.
“Para pak çastesh zonjusha amerikano - shqiptare Suzanna Shkreli mori nominimin si kandidate e Partisë Demokrate të Amerikës për në Kongresin Amerikan në shtetin e Michiganit. Kjo tregon vlerat e demokracisë amerikane dhe të popullit tonë,” ka shkruar Berisha.
Suzana dhe familja e saj, me origjinë nga Ulqini dhe Gruda, kanë emigruar në SHBA ku ajo së bashku me motrat dhe vëllezërit, kanë ndjekur studimet e larta. Shkreli, si një prokurore e suksesshme në Amerikë, renditet mes emrave të “Historive të Suksesshme Shqiptaro-Amerikane.
Përshtati: Kristi Tashi