Dashuri dhe seks > Historia Ime

Historia e Edlirës: Një jetë e dytë edhe pse me shenja në trup!

Vajza që i mbijetoi shpërthimit në pastiçerinë në Tiranë, dhe vështrimit mëshirues të njerëzve…

Shikoni fotot e tjera!    v      
Shfletoni galerinë!
Photo Courtesy of Edlira Shima
Shpërthimi i pastiçerisë në zonën e Don Boskos në Tiranë la 21 njerëz të plagosur rëndë. 4 prej tyre mbetën me plagë shumë të rënda; mes këtyre edhe Edlira.

Konkursi i Historisë më Optimiste i mundësuar nga Abi Bank, solli në Anabel historitë më personale të shqiptarëve që arritën të gjenin optimizmin për të besuar tek jeta. Mes shumë historive të vërteta të përjetuara nga fansat e Anabel, historia që u pëlqye më shumë ishte ajo e Edlirës, vajzës që i mbijetoi shpërthimit të një bombole gazi në një pastiçeri të Tiranës, në gusht të 2015-ës. 21 njerëz mbetën të plagosur gjatë shpërthimit, 4 prej të cilëve mbetën me plagë shumë të rënda; mes tyre, edhe Edlira.

Edlira kishte nisur punë si shitëse në dyqanin e akulloreve, që të mund të paguante vetë shkollën e lartë. Por shpërthimi do t’i linte plagë të rënda, ndaj mjekët u detyruan t’i bënin terapi intensive dhe ta çonin në reanimacion, ku qëndroi dy javë.

 Pasi Edlira i shpëtoi rrezikut për jetën, shenjat e shumta që i ngelën në trup mund të ishin kthyer në një pengesë për të vazhduar jetën, pa mundur të shkëputej nga ngjarja që i kishte tronditur prindërit e saj. Por ajo vendosi të shkonte përtej vështrimeve të të tjerëve, me mëshirë a gjykim, pa ndryshuar asgjë nga ajo që kishte qenë gjithmonë, përpara dhe pas shpërthimit.

Historia e saj mori rreth 10 mijë pëlqime në Anabel Facebook, duke e bërë atë fituese të konkursit dhe shpërblimit prej 300 eurosh nga Abi Bank.

Lexoni historinë e rrallë të optimizmit, rrëfyer nga vetë Edlira:

Quhem Edlira Shima. Vendosa të filloja shkollën e lartë (në universitet privat), dhe doja të punoja që ta paguaja vetë. Fillova punë si shitëse në një dyqan akulloresh. Në datën 9 gusht 2015 diçka jo e këndshme; shpërthimi i bombolës së gazit. Një prej të dëmtuarve më rëndë isha edhe unë. Në një moment mendova se jetës sime i erdhi fundi. Se nuk do të mundesha ta pranoja një shpërfytyrim të tillë. Pasi ndenja shtruar 2 javë në reanimacion, mbas daljes, kuptova se duhej të luftoja për t’ia dalë mbanë vetëm për familjen time. Nuk mund të duroja që prindërit e mi të qanin për këtë fatkeqësi që ndodhi.

Ashtu, plot shenja, vendosa të dilja pa e vrarë mendjen për paragjykimet, apo shikimet mëshiruese të njerëzve. Duhej të vazhdoja punën që kisha lënë përgjysëm, duhej të kthehesha ajo që kisha qenë. Dilja në kafenetë e zakonshme ku shkoja gjithmonë, dhe njerëzit më shikonin me një sy tjetër, por unë duhej t’ju tregoja se isha ajo vajza që ata kishin njohur sepse asgjë nuk kishte ndryshuar tek unë; isha po ajo që kërkonte të arrinte aty ku donte. Edhe sot, pas nëntë muajsh, jam sërish ajo vajza që isha dikur; edhe pse shumë shenja kanë mbetur në trupin tim, asgjë nuk më pengon të vazhdoj rrugën time…

Çdo gjë ndodh për një arsye, dhe pas kësaj të keqeje kuptova diçka të mirë: Që unë jam e fortë dhe e dua jetën më shumë se çdo njeri tjetër! Kështu që njerëz, mos u stepni kurrë për fatkeqësitë që ju ndodhin, mos u kapni pas tyre! Hidhini ato pas krahëve dhe përqafojeni jetën, sepse është e vetmja gjë e çmuar që kemi, për t’i treguar botës se një njeri i guximshëm, ia del gjithmonë mbanë…’

Artikuj të ngjashëm