Metropolitan > [email protected]

Pse na qenka Çani më i keqi?

A është vërtet moderatori i “Zonë e Lirë” shkaktari i vulgaritetit?

Nga Dalina Buzi ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

 Argumenti i Arjan Çanit në emisionin “Fakt” të Çim Pekës se “Unë do të transmetoj llaç, përderisa konkurrentët transmetojnë llaç”, duket fillimisht si një argument i pabazë, nëse do të shohësh drejpërdrejt konkurrentët e “Zonë e Lirë” të premten. Nuk mund t’i themi “Llaç” një programi si “Masterchef” që përveçse është një realizim i shkëlqyer, ka një përmbajtje shumë familjare si gatimi. Nuk mund t’i themi as “Llaç” formulës së “Voice of Albania” që i vë theksin zërit dhe nga ku kanë dalë vokale shumë të mira. Juria e Voice si Sidrit Beljeri, Alma Bektashi apo Aurela Gaçe nuk janë llaç gjithashtu dhe nuk mund të krahasohen kurrsesi me kopenë e këtyre bjondeve “të pjella” nga portalet që flasin si eskorta para pazarit në studion e “Zonë e lirë”.

Çani mund të jetë shprehur gabim, por ka një të vërtetë shqetësuese në thelbin e argumentit. Përse Xhesika, Iva, Gugu, Kallashi që dalin e flasin gjysëm-zhveshur (por jo sa t’u shihen organet gjenitale) në orën 21:00 kanë më pak vlera dhe janë më vulgare se banorët e Big Brother, një formulë e blerë nga “Endemol” që po ashtu dilnin në transmetim në orën 21:00?. Përse mediat të mos shkruajnë për Ivën, Xhesikën, Gugun, Kallashin që s’kanë bërë asgjë dhe njihen vetëm nga vithet, fotot nudo e histori seksi me deputetë, kur ata kanë vite që shkruajnë dhe bëjnë kopertina për X-in dhe Y-in e Big Brother që s’kanë bërë asgjë përveçse kanë ndenjur disa kohë brenda një shtëpie dhe dilnin kudo me brekë, bënin seks në dush a krevat, ziheshin me grushta etj. Ku qëndron ndryshimi? Pikërisht aty ku qëndron edhe acarimi i moderatorit të “Zonë e lirë”. Sepse “Big Brother” është një formulë e blerë dhe e qëndisur bukur me qindra-mijëra euro dhe një staf të madh. Si e tillë, krijon më shumë respekt dhe tolerancë sesa “Zonë e Lirë.” Sepse mendohet se kjo është një formulë e përqafuar edhe nga gjermani, edhe nga italiani edhe nga anglezi (që inferioriti ynë historik na bën të mendojmë se ata dinë më shumë se ne). Kurse Xhesika-t që s’patën fatin të hyjnë në këtë shtëpi si si-motrat, janë prodhim vendas e si të tilla, më pak të besueshme.

Sepse në "Big Brother" pavarësisht se sa banal mund të jetë banori, në transmetimin direkt, autorët, moderatorët dhe opinionistët kujdesen që shfaqja e tyre të jetë sa më e kuruar. Papritur ata artikulohen, grimohen, herë pas here justifikohen me ndonjë histori dhimbjeje të montuar bukur, me ndonjë përqafim mes lotësh me prindërit etj. Por thelbi është prapë i njëjtë.

Iva, Xhesika, Gugu, Kallashi dhe çdo banor i Big Brother janë thjesht pjellë mediatike, por servirja e Çanit bëhet në “mensë” që do të thotë në studion e tij me shumë pak investime dhe me pyetje të drejtpërdrejta dhe servirja e personazheve të "Big Brother" bëhet në “restorant me 5 yje” ku përfshihet skenografia e bukur, ndriçimi i mirë, pyetjet e buta etj.  

Çani nuk po bën asgjë më tepër, por po e ekzagjeron atë që ka bërë gjithmonë, për të ndjekur trendin e përgjithshëm të medias në këtë garë të ashpër konkurrence. Në orën 21:00 kanë ndodhur gjëra edhe “më të pamoralshme” se puthja e Xhesikës me gjuhë me Kallashin. Dhe jo vetëm tek Çani. Madje po ta kujtojmë pak, shumica e emisioneve prime-time i kanë dhënë prioritet sherrit e ofendimeve mbi përmbajtjen.

Në orën 21:00 kanë ofenduar politikanët njëri-tjetrin me gjithë familje në “Opinion” apo kanë gënjyer haptazi për vjedhje miliona-euroshe, në orën 21:00 harrohej kërcimi dhe i jepej kohë ofendimeve të Robert Aliajt ndaj konkurrentëve tek “Dance with me”, në orën 21:00 përmendeshin organet gjenitale tek “Dancing with the Stars” (Ju kujtohet Valeri?), në orën 21:00 kanë bërë të moralshmin publikisht shumë të pamoralshëm në jetët e tyre private të ftuar në talk-shows. Në orën 21:00 kanë ndodhur shumica e skandaleve televizive për hir të së vërtetës, por të artikuluara bukur dhe nën kostume të shkëlqyeshme, nuk janë llogaritur si të tilla.

Çani, fenomenin reality-show, e ka njohur përpara kujtdo tjetër në televizionet shqiptare, që kur drejtonte në anonimitet një program radiofonik “Klani i Natës” në të cilin telefononin lloj-lloj njerëzish e hapeshin për probleme intime. Por tashmë, kur të gjithë tentojnë të bëjnë “Çanin” në një mënyrë apo tjetrën, është ndjerë ai për herë të parë i detyruar të ndjekë trendin, që iu kthye si boomerang dhe tashmë e ka detyruar ta bëj prioritet “vulgaritetin” duke e vendosur në orën e famshme familjare 21:00.

Faji i Çanit qëndron në faktin që personazhet të cilët ai fton, vijnë direkt nga habitati i tyre natyral ‘të pa-retushuar’. Ai u flet butë, i pyet me të njëjtën përgatitje siç pyet politikanë dhe intelektualë dhe i lë të “demaskojnë” vetë vetveten e tyre nëpërmjet përgjigjeve. Nëse do të merrej më gjatë me historinë e Xhesika Ndojit, të rritur në varfëri me 6 motra e vëllezër me një muzikë të qetë në sfond dhe një fokusim kamere tek lotët e saj, atëherë ai s’do të paragjykohej kaq shumë. Nëse Kallashit do t’i vishte një fustan balloje e do ta bënte të kërcente Valsin e Danubit përkrah një balerini të famshëm, atëherë të gjithë do ta duartrokisnin e do të harronin për një moment dridhjet e vitheve që ajo bën çdo fundjavë në lokale halabakësh. Por ai nuk e tenton këtë, sepse s’ka qënë kurrë formula e tij. Këtë e bëjnë konkurrentët brenda atij televizioni ose në ekranet e tjera, të cilët pak të detyruar nga auto-censura dhe pak nga rregullat e patentës, e marrin një të pavlerë dhe e ri-krijojnë duke e vendosur në kornizë floriri, për t’ua shitur njerëzve si “një nga ne” për aq kohë sa u zgjat transmetimi e për aq kohë sa ne “ta hamë” si të tillë.

Është fatkeqësi kur dëgjon një prej moderatorëve më të mirë shqiptarë, që u bë brand dhe sfidoi “rëndësinë e ekranit”, të thotë se është “i detyruar të servirë sa më shumë llaç” për të thithur reklama. Dhe kur vë alarmin mjeshtri i formatit me njerëz të thjeshtë, kuptojmë se tashmë këtu diga është hapur dhe nga të gjitha anët po vërshon vulgariteti, qoftë ai bruto i ardhur nëpërmjet lajmeve të njëpanjëshme për të pavlerë në portale e gazeta, qoftë ai i zbukuruari në formula qindra-mijëra euroshe.  

Ndaj Çani nuk është absolutisht më i keqi. Çani është siç ka qënë gjithmonë: në Zonën e tij të Lirë. Por që tashmë, këtë zonë ja ka ngushtuar aq shumë konkurrenca me të njëjtin pikësynim, sa atij i duhet të mbijetojë me luftë oraresh. Megjithatë, përpos luftës për audiencë, unë mendoj se njeriu që qëndron fuqishëm prej 13 viteve në treg falë interesit të publikut, është më shumë krijues se kaq për t’i gjetur një zgjidhje tjetër çështjes së konkurrencës. Mjafton të mos harrojë ekuilibrin që e ka ndjekur gjithë këto vite transmetimi: “Simul Justus et Peccator”

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Artikuj të ngjashëm

. .