Mrika Krasniqi, presidente e Nil Production, është nderuar nga Kongresi Amerikan si ‘Gruaja e Vitit 2016’. Me kërkesën e Senatorit të Nderit të shtetit të New York-ut, Charles Schumer, Krasniqi është nderuar për merita të veçanta në zhvillimin e artit dhe kulturës, duke u bërë nxitëse e bashkëpunimit kulturor mes Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Italisë.
Sipas New York Elite, më 21 prill 2016, kryeqendra e Shteteve të Bashkuara ka nderuar producenten nga Kosova, një prej nismëtareve kryesore të promovimit të talentit dhe artit shqiptar në Amerikë. Mrika Krasniqi përveçse themeluese dhe presidente e një kompanie filmike, është edhe organizatore e Javës së Filmit Shqiptar në New York (Albanian Film Week), që ka si qëllim shfaqjen e talentit të kineastëve shqiptarë në një këndvështrim të ri.
Krasniqi gjithashtu është organizatore e Javës së Modës Shqiptare në New York, si edhe veprimtare në disa projekte për të drejtat e njeriut si bashkëthemeluese e OJF-së ‘Different’ (Ndryshe), duke bashkëpunuar me USAID, UNDP, OSCE, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara. Ka punuar me National Geographic në një projekt dokumentarësh për mbrojtjen e mjedisit, si njohëse e mirë e realizimit të filmave.
Edhe më parë, ajo është nderuar me titullin 'Best Human Artist', nga Komiteti Europian i Artistëve Hebrej në Paris, Francë. Ky titull nderi iu akordua për punën si artiste, por mbi të gjitha për veprimtaritë humanitare.
Burimi: NY Elite