Metropolitan > Cover Story

Kërkohet Loriku

Lorik Cana nuk është rastësisht mashkulli më seksi shqiptar dhe kapiten i Kombëtares Shqiptare. Zbulojeni se përse në këtë intervistë me Dalina Buzin. Fotografia: Geljant Kaleci / Redaktor Mode: Niko Komani

Nga Dalina Buzi ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

Me Lorikun kishim vetëm 1 orë e gjysmë kohë. Duhet ta takonim tek kompleksi “Tropikal”, ku ishte grumbulluar për ndeshjen. Një ditë më parë kishin humbur në një kohë të keqe me rrebesh ndaj Islandës me rezultatin 1-2. Të nesërmen e intervistës sonë kishin ndeshjen e radhës me Slloveninë, një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror.

Loriku për mediat shqiptare është sa i lehtë për t’u intervistuar, aq edhe i pakapshëm në raste të tjera. Me kalimin e kohës dhe me rritjen e interesit ndaj tij, ai është bërë edhe më përzgjedhës ndaj medias apo personalitetit që e interviston. Ka plotësisht të drejtë të jetë i tillë. Kapiten prej vitesh i Kombëtares Shqiptare dhe një ndër futbollistët shqiptarë më të paguar në botë, Loriku ka treguar zotësi në krijimin dhe ruajtjen e imazhit të suksesit. Meshkujt nuk kundërshtojnë rolin e tij në skuadër dhe kontributin që ka dhënë për kombëtaren. Femrat, edhe ato që bëhen me dhimbje koke, kur shohin një top të rrotullohet në një fushë të gjelbër, bien dakord që ai është ndër meshkujt më seksi.

Për futbollin shqiptar, ai është si Inva Mula për muzikën. “Larger than life” do të ishte shprehja që do t’i shkonte më për shtat futbollistit gjakovar. Ditën që shkova në Durrës për të takuar Lorikun, u bombardova me pyetje dhe kërkesa për foto e autografe nga mikeshat e mia. “Të vij dhe unë me ty?”, “Ua, do takosh Lorikun nga afër? Aman, sa i mirë është!”, “Pyete Lorikun ka të dashur?”. E më pas, gjatë qëndrimit tek kompleksi, vijonin sms-të: “Hë, si është?”, “Për çfarë po flisni?”, “Si po dalin fotot?”. Këto ishin mikeshat e mia, të cilave puna në media dhe takimet gati të përjavshme me personazhe të njohur, u kishin hequr çdo lloj kurioziteti ndaj të famshmëve. Përveçse ndaj Lorikut. E ndërsa ato u shndërruan në “Bieber-fan”për kapitenin 29-vjeçar, imagjinoni se ç’do të bënin apo thoshin mijëra të tjera, që janë shumë larg botës së spektaklit!

“Me aq shumë vajza sa të adhurojnë, ti duhet ta kesh shumë të lehtë që vetëm t’i çosh një sms një vajze që të pëlqen dhe ajo të mos të të refuzojë dot”.

Loriku qesh. “S’është aq e lehtë, – vazhdon. – Unë bëj sikur e besoj”.

Nga afër Loriku është pak më i shkurtër se në ekran dhe më i mbledhur në trup. Ka një fizik tipik prej futbollisti. Mënyra se si qëndron, qetësia me të cilën flet e sillet, të jep përshtypjen se i ka kaluar të 30-at. Disiplina që ka përftuar nga sporti i reflektohet edhe në takimin tonë. Nuk zgjatemi shumë me bisedat e “nxehjes”, por sapo takohemi, nisim nga puna për setin fotografik. “Nuk janë në stilin tim këto veshje, por gjithsesi bukur duken”. Kaq thotë në një shqipe letrare dhe nuk komenton më asnjë gjë nga seanca fotografike, përkundrazi, pranon çdo sugjerim, si një model i mirë. Për 1 orë e gjysmë, ne përfunduam gjithçka: fotot dhe intervistën. Një rekord, duke marrë parasysh që seancat tona fotografike, zgjasin zakonisht 5-7 orë.

Më pas ai largohet për në stërvitje. Të nesërmen do t’i duhet të dalë sërish në stadium për të sfiduar humbjen e shëmtuar – sipas gazetarëve të sportit – kundër Islandës. (Të nesërmen fituan 1-0 me Slloveninë). Ndeshjen do ta shohin të gjithë tifozët. Aty në stadium, nën emocionet e ndeshjes, ai shkon të adhurohet, të emocionohet, të kritikohet e të shahet. Por në fund të ditës të gjithë do të bien dakord ta falin dhe ta duan edhe më shumë. Sepse është e pamundur të jetë ndryshe. E pamundur t’i rezistosh Lorikut!

Më kanë thënë që futbollistët nuk kanë kohë as të shijojnë pasurinë që vënë.
E vërtetë, nuk kemi kohë të lirë. Futbolli është sakrificë, kemi ndeshje përgjatë vitit, udhëtojmë shumë dhe, kur s’udhëtojmë, duhet të pushojmë. Falë teknologjisë, arrijmë të ruajmë kontakte.

Ti, mesa shoh, qenke fans i Blackberry Bold-it.
Po. Me këtë telefon ndihem më mirë, edhe pse gjithë kohës me karikues. E kam më të lehtë se me Iphone-in.

Tani që po kujtoj, nuk është se kam parë shumë foto paparacësh të futbollistëve të njohur nëpër festa apo ceremoni të tjera. Më shumë janë në plazh gjatë pushimeve apo në rrugë duke ecur…
Sepse ne kemi një regjim shumë strikt dhe jeta jonë nuk ka aspak atë luksin apo ngjyrat me të cilat i pikturojnë gazetat.

Po kur s’keni kohë, një pyetje që më vjen, si femër e dashuruar pas shopping-ut që jam (qesh), kur i shpenzoni paratë?
As që kemi kohë t’i shpenzojmë! Por unë jam i kujdesshëm, sepse e di që me futboll nuk mund të jetosh gjithë jetën nëse nuk lë para mënjanë. Familja ime e menaxhon pasurinë time dhe një pjesë e madhe të atyre që fitoj, i investoj.

Po një ekstravagancë duhet t’ia lejosh vetes, si shpërblim për gjithë këto vite punë dhe sukses, apo jo? Ke një pasion për të cilin shpenzon?
Makinat. Jam i apasionuar pas tyre dhe i ndërroj shpesh.

Makina e fundit që ke blerë?
Porsche 911 Turbo.

Qenka makinë shpejtësie, që do të thotë se me pedalin e gazit paske marrëdhënie të mira! (Qesh). Sa është shpejtësia më e madhe që ke arritur?
Është 335 km/orë.

Në Shqipëri?
Jo, në Itali. Në një pistë garash.

E sigurt që ka qenë pistë garash?
Kjo revistë botohet në Itali? (Qesh).

Dakord, pra le ta lëmë “pistën e garave”. (Qesh). Një tjetër pasion që ti ke rrëfyer, të paktën me aq sa të kam ndjekur në një intervistë tek “E diela shqiptare”, është edhe ai për Shqipërinë e Kosovën. Je një patriot i flaktë. Ke edhe tatuazh flamurin shqiptar. Edhe pse me tre nënshtetësi, ti zgjodhe të luash për Kombëtaren e Shqipërisë. Por a duhen gjykuar ata futbollistë me origjinë shqiptare, që zgjedhin të përfaqësojnë një Kombëtare të huaj?
Po kjo varet. Ka nga ata futbollistë që kanë shkuar të vegjël në vende të huaja e janë trajnuar e kanë luajtur atje gjatë gjithë jetës. Duke marrë parasysh që pozitat ekonomike të shumë emigrantëve shqiptare nuk kanë qenë të favorshme për të bërë zgjedhje, pa marrë parasysh stimujt ekonomikë, atëherë kanë zgjedhur ofertat e Kombëtareve të vendeve ku janë rritur e janë stërvitur. Mendoj se nuk duhen gjykuar ata futbollistë që kanë marrë vendim në një moment të vështirë të jetës së tyre ose ata që kanë qenë të shkëputur që në fëmijëri nga futbolli shqiptar. Por ka edhe të tjerë që kanë pasur oferta dhe nuk kanë pranuar të përfaqësojnë Kombëtaren tonë, edhe pse mund ta bënin. Me këta nuk jam dakord.

Të rrimë edhe pak tek futbolli. Unë, të jem e sinqertë, nuk e ndjek fare, por ama di që në futboll, ashtu edhe në fusha të tjera të jetës, funksionojnë pak a shumë disa rregulla universale. Si p.sh., të jesh drejtues i një ekipi, në këtë rast, të jesh si ty, kapiten i një ekipi, duhet të kesh aftësi shumë të mira menaxhimi, duhet të dëgjosh e të jesh i aftë të zbusësh konflikte që mund të lindin gjatë punës. Fakti që ti ke kaq kohë kapiten, do të thotë diçka për karakterin tënd. Që je i lindur për të udhëhequr…
Kjo është e vërtetë. Qëkur isha i vogël dhe luaja futboll në lagje, gjithmonë merrja rolin e drejtuesit. Duhet të kesh aftësi menaxhimi dhe duhet të jesh gjithmonë i gatshëm t’u vish në ndihmë shokëve të skuadrës, duke dhënë edhe shembullin tënd. Nuk mund të bëhesh shembull nëse nuk je vetë sistematik dhe i bindur në atë që thua dhe nëse nuk ke disiplinën dhe vullnetin e duhur.

Përveç këtyre, je edhe i lindur në shenjën e Luanit, që është shenja e udhëheqësve.
E urrej horoskopin. Nuk e besoj fare, sepse nuk ka asnjë kuptim për mua që një shenjë të jetë përfaqësuese për miliona njerëz në të gjithë botën. Formimin e një njeriu e kushtëzon gjeni dhe përvoja e tij. Unë jam këtu ku jam falë pasionit tim dhe falë babait tim, i cili, vetë futbollist, më është kushtuar me kohë të plotë dhe më ka ndjekur në çdo ndeshje dhe çdo stërvitje që kam pasur.

Ti je djalë i vetëm dhe, pavarësisht se përmend shpesh babanë, je i rrethuar nga gra. Ke nënën dhe dy motra në familje.
Dhe jam rritur nga gjyshja deri në moshën 6-vjeçare. Kam një motër, Laura, që është 27 vjeçe dhe dy mbesa prej saj, si dhe një motër të vogël 10 vjeçe. Emigrimi që nga Kosova në Zvicër e më pas në Francë, na ka lidhur shumë dhe jemi një familje shumë e ngushtë, bëjmë shumë për njëri-tjetrin. Motrën e vogël, Lea, e kam pikë të dobët. Fillimisht, doja një vëlla, por kur lindi Lea, u gëzova shumë. Jam shumë i lidhur me të, edhe për faktin që ajo është e vogël.

Ka ndonjë talent tjetër sportiv në familjen tuaj?
Lea merret me tenis aktualisht, por të shohim.

Të pasurit e një familjeje të fortë ka ndikuar në këndvështrimin që ke ti për familjen tënde?
Unë dua që familja që do të krijoj të trashëgojë vlerat e prindërve të mi. Ashtu si nëna dhe babai im, edhe unë do të doja që marrëdhënia ime me mamanë e fëmijëve të mi të ishte një marrëdhënie që do të bazohej në përkushtim dhe gatishmërinë për të ndihmuar njëri-tjetrin sa herë që të jetë nevoja.

Por edhe mos harro që prindërit e tu jetonin në një tjetër epokë dhe ndoshta emigracioni i afroi më shumë, për vetë faktin që ata ishin gjithë kohës bashkë. Kurse ti, të paktën tani, je i pakapshëm. Sa në një vend në një vend tjetër, sa në një ndeshje në një tjetër. Është më e vështirë për ty, besoj, të ndërtosh atë lloj familjeje ideale...
Patjetër që është shumë më e vështirë. Unë jam tradicional, por karriera që kam zgjedhur, nuk më jep mundësi që të bashkëjetoj aq sa duhet për të kuptuar nëse një person vlen apo jo, më përshtatet mua apo jo për të krijuar një familje.

Ti nuk e ke idenë se sa vajza në Shqipëri, që unë njoh personalisht – dhe këtu po flas për vajza të zgjuara, të afta – do të donin të dilnin me ty. Mund ta kishe gjetur një nuse në Shqipëri…
(Qesh). Po unë në Shqipëri nuk rri asnjëherë më shumë se një javë. Ndaj lind problemi që të përmenda pak më parë, pamundësia për të njohur një njeri aq sa duhet, për të krijuar familje me të.

Familjen ndoshta edhe s’mund ta krijosh, por unë di që (le të themi) dyert në zemrat e shumë vajzave, një pjesë edhe të njohura, i ke pasur të hapura. Nuk ka qenë nevoja t’i biesh shumë gjatë citofonit, nëse më kupton… (Qesh).
(Qesh) Edhe ekzagjerohet pak këtu nga media, por përgjithësisht jam ndier me fat.

E vetmja gjë që s’ekzagjerohet është fakti që ti, me një diferencë shumë të madhe votash nga vendi i dytë, je renditur dy herë si “Mashkulli më seksi shqiptar”, sipas një sondazhi të revistës sonë në Facebook. Madje po të kërkosh në “Google”, të del ky informacion.
E kam lexuar. Ç’të të them?! S’e marr shumë seriozisht këtë titull, gjithsesi i falënderoj të gjitha vajzat për dashamirësinë.

E meqë revista “Anabel” ka treg femëror, do të më duhet që në praninë tënde t’iu jap një lajm të keq lexueseve. Ti ke një vit i lidhur me një vajzë italiane dhe, siç duken bathët, është diçka serioze.
Tani, meqë e përmende, më duhet të jem e sinqertë. Po, jam i lidhur dhe jam shumë i lumtur me të momentalisht.

Çfarë bëri ajo, që s’e kanë bërë të tjerat përpara saj?
Nuk e di nëse duhet të bëj krahasime. Por di të them që ajo është shumë e ëmbël, shumë femërore, është spontane, natyrale. Siç i thonë anglisht, është “fresh”. Natyrisht, është edhe shumë e bukur.

Në marrëdhënie me ty, çfarë të ka tërhequr më shumë tek ajo?
Ajo çfarë dua më shumë tek ajo, është fakti që e kupton punën që bëj, e kupton që më duhet të jem gjithë kohës i ikur dhe mundohet që të më lehtësojë sa më shumë nga detyrime të tjera duke më qëndruar pranë në çdo nevojë. Qëkur është lidhur me mua, ka nisur të mësojë edhe shqipen dhe është shumë e interesuar për Shqipërinë e Kosovën.

Si e njohe?
Në një restorant. Ajo ishte me disa miq në një tavolinë, unë në një tavolinë tjetër. Më pëlqeu shumë dhe shkova t’i flisja. Kështu nisi historia…

I drejtpërdrejtë e kuptova që qenke! Po romantik?
Nuk jam i rregullt me këto datat e festave dhe përvjetorëve. Nëse dua të bëj një surprizë që mund të konsiderohet romantike, e bëj kur të më vijë. Zakonisht është një udhëtim i papritur diku ato ditë që jam pushim.

Meqenëse të erdhi koha për stërvitje, po e lëmë këtu, me këtë mbyllje romantike të intervistës. Shpresoj që nesër të mos ju bjerë shi gjatë ndeshjes dhe kur të vendosësh të martohesh, na e thuaj neve të parëve. (Ai qesh).

Artikuj të ngjashëm

. .