Dashuri dhe seks > Zona ime nga Balina Bodinaku

Të kesh a të mos kesh (…) ???

Ditari (jo) i zakonshëm i një vajze të re, të suksesshme dhe shumë të sinqertë!

Nga Balina Bodinaku ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

I dashur ditar,

Kjo nuk është dilema e as pyetja e ditës. Kam gjithë jetën që ia bëj vetes. Ose të paktën gjithë atë pjesë të jetës qëkur mësova (ende pa i dhënë një kuptim) se cili ishte ndryshimi më i madh mes një goce dhe një çuni, një mashkulli dhe një femre, një gruaje dhe një burri.

E pra, çunat e bëkan çiçin më këmbë!

Lum si ata! Nuk vuakan për ta mbajtur derisa të gjejnë tualetin më të afërt! S’paskan nevojë për kushte të veçanta! E lëshuakan ku të mundin e ku të duan!

Lum si ata!

Nuk kanë turp nëse dikush i sheh në ndonjë qoshe rruge, poshtë urës, apo pas derës së hapur të një makine në mes të autostradës. E pse të kenë?! Çunat kështu janë. A ka njeri që s’e di këtë? Edhe po pati, le ta mësojë! Ata kështu janë.
(Kjo mund të ishte një arsye që edhe unë të doja të KISHA qenë çun më mirë).

Po qesh me vete tani, kur mendoj sa goca mund ta mendojnë si unë.
Një shoqja ime, kujtoj një herë kur kjo temë u hap mes gocash, shkaktoi të qeshura histerike që zgjatën gjithë ditën kur serbes-serbes e pa të keq tha: “Aman, të më kishte bërë Zoti burrë, vetëm të kisha mundësinë të fusja dorën mes këmbëve për t’u kruar në mes të rrugës, në vend që të mbaja frymën për të futur barkun brenda.” (Po, për të futur barkun brenda, e për çfarë?! Që ai tipi që sapo është shkundur, ende pa e mbyllur mirë zinxhirin e pantallonave, të të hedhë një sy nga koka tek këmbët e t’i thotë shokut që ka pranë, gjithashtu duarpalarë: “yyy, sa e mirë kjo!”).
Nejse, të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Rehatlliku (më fal për turqizmin) është i ëmbël. Kështu që... pse jo?! S’do kish qenë fort keq të KISHA qenë dhe unë çun!

Sigurisht që me kohë mësova e “kuptova” edhe më shumë mbi avantazhet e të hedhurit të çiçit përpjetë sa andej këtej. Gjërat kishin qenë shuuumë më të thella se kaq.

Para disa javësh, në një show të njohur televiziv të së dielës, dy gra po ziheshin keq me njëra-tjetrën për një çiç-hedhës të pabesë e gënjeshtar. E çfarë nuk u tha aty! U ofenduan, u shanë, u lënduan, u tallën. U bënë për të qeshur. U bënë për të qarë. Facebook-u u mbyt me statuse. U kujtova për këtë tani që dëgjoj të qeshurat dhe komentet e gocave të zyrës që po shohin videon në YouTube. E lehtë të gjykosh në këto kushte. Nga kompjuteri i zyrës, në një ditë të bukur me diell si kjo, me qetësinë që të jep një marrëdhënie e sigurt, teoria e etikës të sjelljes në këto raste duket kaq e lehtë dhe kaq elementare: “Rregulli numër 1: Duhet të ruash gjakftohtësinë. Rregulli numër 2: Nuk ke punë me ‘atë’. Llogaritë rregulloji me burrin tënd. Rregulli numër 3: Mos e ul asnjëherë veten para asaj tjetrës. Ti je superiore. Në fund të fundit ai ty të do më shumë. Ta ka thënë vetë. Rregulli numër 4: Burri (i dashuri) yt nuk ka asnjëherë faj (do apo s’do të jesh me të). E kemi thënë njëqind herë! Faji është i asaj kurvës. Ai nuk donte. Kushedi ç’i ka bërë ajo”. E pra, këto rregulla i dinë përmendsh të gjitha gocat; edhe ajo brunia, që po qesh tani me të madhe para kompjuterit, duke thënë se si mund të zihen dy gra kështu për një çiç-hedhës. Edhe ajo, pra, që po duket e qeshur e gjithë krenari, para disa muajsh na tregoi se ç’i kishte bërë asaj (kurvës) që “i kishte marrë” të dashurin kur e kishte parë një mbrëmje në një lokal. I kishte përplasur në fytyrë një gotë plot me konjak (se ai ngjit më shumë). Ja ç’i kishte bërë! Dhe mirë ia kishte bërë!

Po kështu ajo tjetra, që ishte zënë për flokësh kur e kishte parë atë (e thamë një herë) duke kaluar rrugicës së shtëpisë së saj. Si guxonte ajo ta provokonte ashtu?!!! Apo ajo e dashura që kishte printuar të gjitha email-et e dashurisë dhe ia kishte çuar me postë në shtëpi gruas së tij. Apo ajo, gruaja e ndarë prej 100 vjetësh, që përndjek deri në vdekje të gjitha të dashurat e ish-it të saj me qëllimin e vetëm “t’u shkatërrojë lumturinë”.

E në gjithë këtë rrëmujë grindjesh për të, vetëm ai nuk duket gjëkundi. E thamë që në fillim. Ai është rehat.
Tani, pyetja ime për sot është kjo: Ai është rehat, se është rehat nga natyra? Apo ai është rehat, se s’rrimë dot ne rehat? Domethënë: Ku janë ata meshkuj që mblidhnin ushtri të tëra e ndesheshin për vite me radhë për dashurinë e një gruaje të bukur? Ku janë ato femra që panë t’u hidheshin para këmbëve mbretëri të tëra në këmbim të zemrës? A janë zhdukur burrat? Apo s’ekzistojnë më gratë e atëhershme?

Nuk e di si do kisha qenë po të isha burrë. Por një gjë mund ta marr me mend. Një grua që do kapej prej flokësh për mua, s’do të ishte fare në preferencat e mia. Mund të më pëlqente të isha trofe i “betejave”, të shihja se si njëra do përdorte çdo mjet për të më marrë vëmendjen, apo se si tjetra do pranonte çdo kusht timin për të mposhtur “rivalen”, po asnjëra s’do merrte asgjë në këmbim. Se mos kërkova gjë unë! Po të duan, le të vrapojnë të më kapin. Le të vriten. Le të priten. Le të shahen. Le t’ia nxijnë jetën njëra-tjetrës. Epo, të gjithë rehat s’do jemi!

Po unë nuk jam burrë dhe shumë herë e kap veten duke vrarë mendjen a është ta bësh çiçin më këmbë vërtet për t’u pasur kaq zili? A mjafton kaq për të qenë rehat, apo dikush nga ne e merr për të qenë që kështu duhet të jetë? Moj po a është ta kesh dhe të jesh e njëjta gjë? Po e zëmë, Zoti na e kishte dhënë ne gocave këtë “fat”. A do ishin sot çunat duke u kapur nga flokët për ne? Apo do ishin sërish të zënë duke iu mburrur njëri-tjetrit (këtë herë) për madhësinë e tamponit që përdorin gjatë ciklit? Nëse ne gocat do ta bënim çiçin më këmbë, a do na faleshin e do na kuptoheshin të gjitha “lajthitjet” për shkak të “atij”?

I kemi ne ca ditë në muaj, që ndoshta mund të na kthenin një përgjigje.
Nejse, se unë vërtet s’e bëj çiçin më këmbë, por edhe mua më pëlqen t’i mbaj gjërat më të thjeshta.
Një shoqja ime shumë e afërt u nda me personin që jetonte prej një jete me një rresht të shkurtër fjalësh: “Më fal, shpirt. Më doli situata nga kontrolli. Më shpëtoi”.

I shpëtoi! S’e mbajti dot. E bëri me lehtësinë që ishte mësuar gjithë jetën ta bënte çiçin kudo: poshtë urës, në një cep rruge, apo pas derës së hapur të një makine në autostradë. Burrat kështu janë. A nuk kemi rënë dakord për këtë që në fillim? Të gjithë e dinë. Kush nuk e di, le ta mësojë. Siç e mësoi kjo shoqja ime kur pa se sa pak, fare pak ditë (apo vetëm pak shikime, ca sms dhe nja dy telefonata) iu deshën atij të fshinte sikur të mos ishte asgjë atë që kishin ndërtuar bashkë prej aq shumë kohësh.

“Ti e di si jam unë,” – i tha ai në fund.

“Ti e di si janë burrat,” – ishin fjalët “ngushëlluese” edhe të shoqeve.

Por e vërteta është se një bastard është i tillë pavarësisht se si e bën çiçin. Dhe pavarësisht se sa dhemb, gjithçka duhet thirrur në emër. Sepse unë besoj (dhe s’ka burrë që më bind për të kundërtën) se të kesh dhe të jesh janë dy gjëra shumë të ndryshme. Ta kesh, ndoshta të bën burrë. Të jesh… të bën një gjë tjetër, që s’e them dot këtu, se më vjen turp, por që vetëm me burrninë s’ka lidhje.

E kështu, ditari im, po e filloj nga fundi. Rregulli numër 4 është kot fare.

Artikuj të ngjashëm

. .