Detyra e parë e gazetarit është të dyshojë dhe kjo është A-ja e profesionit tonë. Por ka raste që e ke të pamundur të diagnostikosh për së largu ku mbaron e vërteta dhe ku fillon delirimi i një personazhi që shpik për vete gjëra të paqëna. Për më tepër, kur personazhi nuk ka treguar (të paktën publikisht) për shenja delirimi në të kaluarën, por e ka “shitur” veten si një profesionist në fushën e tij.
Rasti i fundit ishte ai i ish-moderatores Kozeta Turishta, e cila për ish-kolegët e saj të News24 dhe Balkanweb pohoi (dhe është e cituar) se së shpejti do të niste punë në studion qendrore të lajmeve të CNN-it. Madje në lajm (duke iu referuar bisedës së saj me kolegët) shkruhej se ajo mund të zëvendësonte Cuomo-n, moderator i CNN për segmentin “New Day” nga ora 6:00-9:00.
Por çdo gjë mund të ndodhë në botë, edhe për Kozetën - e cila u hoq në mënyrë demonstrative në mes të sezonit nga Top Channel - mund të ketë një mundësi. Pse jo?
Ndaj të shtyrë nga ajo çfarë Kozeta kishte pohuar me gojën e saj në Balkanweb, u shtymë të kërkonim më tej në profilin e saj. Moderatorja kishte postuar një foto me një bluzë të kuqe me logon e CNN-it ku shkruhej “A whole new day has come” (Një ditë e re ka ardhur). Poshtë fotos, miq dhe kolegë të saj e uronin me përzemërsi. Madje kur moderatorja e njohur Sonila Meço kishte shkruar me sinqeritet “ Dhe kështu bëhet!”, Turishta i ishte përgjigjur kaq : “Son është një mrekulli.” Të tjerë shkruanin: “Na ndero!”, “Urime, lart e më lart!” Kozeta nuk kishte komentuar poshtë asnjë prej këtyre komenteve, duke i lënë të aludonin se bëhej fjalë për një mundësi të artë punësimi.
Megjithatë, në shkrimin e Anabel.al, ne u përpoqëm të ishim më skrupulozë (lexo këtu). Nuk përmendëm rastin Cuomo, pasi verifikuam në faqen zyrtare të CNN, se ai vazhdonte të ishte në detyrë. Nuk thamë se ishte punësuar. Hodhëm dyshimin që mund të ishte edhe një praktikë, meqënëse në një postim të mëparshëm në ambientet e Universitetit Columbia (Shkolla e Gazetarisë) ajo i shkruante një miku të saj se kishte provime në prill. Menduam se ndoshta këtë praktikë ja mundësonte Columbia, një prej shkollave më të mira në botë për gazetari.
E hodhëm dhe këtë tezë dhe pavarësisht se ajo kishte thënë vetë me gojën e saj për Balkanweb, se do të ishte pjesë e studios kryesore të lajmeve, sërish dyshuam dhe hodhëm mundësinë se ajo mund të punonte prapa skene.
Dhe në dyshim e sipër, vendosëm që të kontaktonim vetë me Kozetën në Facebook, por sa u bëmë gati, ajo e dha vetë përgjigjen. Vetëm pas dy orësh publikimi të këtij lajmi (të cilin e kishte bërë publik në Facebook edhe për ata që nuk i kishte miq) ajo publikon një tjetër postim (jo publik) ku shkruan se në CNN ishte thjesht si turiste, por që shpresonte që një ditë të ishte aty si punonjëse.
E shkruajti këtë rreth 4 orë pas lajmit të Balkanweb.com që kishte citimin e saj dhe rreth dy orë pas lajmit të Anabel.al. E shkruajti edhe pas urimeve, që natyrisht do të ndryshonin nëse ajo do të postonte që në fillim se ishte aty si vizitore (gjë të cilën nuk e bëri.)
Pavarësisht se moderatorja në fjalë, nuk përbën lajm apo nuk ka klikueshmëri, krahasuar me personazhe të tjerë, Anabel.al u nis nga dëshira e mirë dhe jo-paragjykimi për t’i bërë jehonë një vajze që ndoshta, edhe pse në kushte pak të çuditshme, mund t’i ndriste fati tek një nga stacionet më të fuqishme në botë. E shkroi duke marrë të mirëqënë citimin që ajo bëri për ish-kolegët dhe miqtë e saj të Balkanweb, të cilët nuk kishte se si ti gënjente, të paktën për hir të njohjes së vjetër që kishte me ta.
Por ja që fatkeqësisht, me dëshirën për të ndarë një lajm të mirë, Anabel.al ra në “kurthin” e delirimit të protagonistit. Ose më saktë, të një tjetër delirimi të një tjetër personazhi, midis shumë të tjerëve që shesin ëndrrat e tyre për të vërteta dhe krijojnë situata të paqëna për pak famë.