Pse t’i hidhni dëm blerjet që keni bërë me aq dashuri?
Bota e modës nuk ka njohur kaq shumë “updates” stili dhe kaq shumë ndikim sa ç’po njeh tani. Tashmë marrim informacion kudo; nga fashionistat e modelet në instagram, nga lajmet e mediave online, nga klipet e këngëtarëve të famshëm në youtube, nga dyqanet nëpër Tiranë që reklamojnë produktet në rrjete sociale, nga njerëz të thjeshtë si ne, të fotografuar “Street-style” nëpër rrugët e botës. Çdo ditë lind një linjë e re veshjesh, çdo ditë prezantohet një produkt i ri dhe ky ritëm aq sa na afron me veshjen, aq edhe na shkëput nga ajo. Sapo fillojmë të shijojmë një fustan, një çantë që e kemi blerë, menjëherë del një tjetër dhe papritur blerja jonë e dashur, zhvlerësohet dhe ne kërkojmë një tjetër.
Papritur një ditë, hapim dollapet dhe kuptojmë se nga dhjetëra fustane e pantallona që kemi të varura, veshim vetëm 1/10-tën e tyre dhe të tjerat ose nuk na pëlqejnë më, ose kemi harruar që i kemi blerë! Disa i falim ku kemi mundësi, por edhe ajo shpesh kthehet në një shqetësim më vete. Ka shumë raste kur veshje për të cilat ne kemi shpenzuar aq shumë, nuk vlerësohen aq sa duhet nga të afërmit apo të njohurit tanë, të cilët të thonë “Faleminderit” me përtesë dhe e veshin apo s’e veshin atë dhuratë të paktën 1 herë.
Çfarë të bëjmë? Këtu vjen në ndihmë ViaAnabel.al. Përse t’i hidhni dëm, t’i lini të pluhurosen në dollap veshjet, këpucët dhe aksesorët tuaj, kur mund t’i ricikloni! Atë që ju e lini të paprekur mbi një vit në dollap, dikush tjetër do të ishte i lumtur që ta blinte me një çmim fantastik.
Pse ViaAnabel.al është një zbulim!
Riciklimin e veshjeve dhe të aksesorëve nuk e shpikëm ne të parët. Ai bëhet në të gjithë botën. Parisi, Londra, Neë Yorku janë të mbushura me dyqane “Second Hand Luxury” apo “Vintage”. As shqiptarët nuk e kanë “risi” këtë fenomen. Dikur, përpara komunizmit ndërronin rrobat me njëri-tjetrin dhe e shijonin në maksimum këtë shkëmbim. Më pas, në pamundësi për të përballuar veshjet me rroga të ulëta, iu drejtuan, atij që në gjuhë popullore njihet si “Tregu i Gabit” që në fakt, ishte një pazar me rroba të përdorura të cilat vinin nga jashtë (shumica të vjetra), por që shiteshin në kushte jo-normale. Ky lloj pazari vazhdon të jetë dhe këtu nuk ka asgjë të keqe!
Por ViaAnabel.al në të gjithë këtë treg, pa një hapësirë bosh. Një hapësirë për të gjithë ata që i blenë dhe i ruajtën me dashuri fustanet e xhaketat e tyre, që shpenzuan shumë për veshje dhe aksesorë cilësore , për ata që nuk e mbajnë mend sa rroba kanë në garderobë dhe kjo i bën të ndihen fajtorë për shpenzime të mëdha e deri tani kërkonin të gjenin një mundësi për t’i rishitur e për të marrë një pjesë sado të vogël të vlerës “për të pastruar ndërgjegjen”.
Nga ana tjetër janë ata që e kuptojnë se një veshje humb vlerën shumë shpejt dhe nuk ka përse të harxhohet kaq shumë, që një çantë Hermes Birkin është shumë e vështirë të gjendet në dyqan (Lista e pritjes është e gjatë dhe për t’iu afruar tashmë duhen miq në Paris, Romë apo gjetkë ku janë butikët e Hermes), që një Louis Vuitton i mirëmbajtur i dy viteve më parë, duket sërish bukur edhe sot, edhe pse e blerë me gjysmën e çmimit dhe sërish mund të rishitet nesër me një vlerë të përafërt.
ViaAnabel u projektua duke patur në mendje të gjithë ne, që duhet të dalim jashtë për të patur akses tek origjinalet e famshme si Chanel, Louis Vuitton, Hermes, Prada, Guçi, Bottega Veneta e plot të tjera, të cilat edhe për shumë vite nuk kanë ndonjë interest të synojnë këtë treg të vogël. Atëherë, përse të marrim rrugën me avion për të blerë një çantë të re, kur të tjerët e kanë bërë udhëtimin për ne, e kanë blerë, e kanë përdorur dy-tre herë dhe e sjellin në butikun e ViaAnabel me një super-çmim?
Me të gjitha këto në mendje, ne erdhëm në këtë ditë, 11 Shkurt, kur zyrtarisht vendosëm të hapim online faqen tonë www.viaanabel.al dhe butikun me të njëjtin emër pranë ish-Bllokut. Ajo çfarë ju do të shihni të postuara, janë të gjitha prurje shumë të mirëmbajtura nga koleksione private të njerëzve të njohur e të panjohur të Tiranës, me çmime të arsyeshme të vendosura në bashkëpunim me shitësin. Çdo ditë faqja do të përditësohet me prurje të reja dhe me aq sa kemi parë nga interesi i madh, besojmë fort që ViaAnabel.al do të jetë vizita juaj e përditshme së bashku me anabel.al dhe kafen e mëngjesit. Blerje të lumtura!