Eneda Tarifa me këngën ‘Përrallë’ ishte fituesja e Festivalit të 54-t të Këngës në RTSH. Si një ndër këngëtaret shqiptare që e ka nisur dhe ndërtuar karrierën e saj më së shumti në festivale, fitorja e saj nuk erdhi si një befasi.
Por, këtë vit kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurosong është diçka e re. Sepse melodia e orkestruar nga Shpëtim Saraçi, është krijuar nga një femër. Olsa Toqi (foto 2) ka shkruar melodinë dhe vargjet e ‘Përrallës’, duke u bërë e para kompozitore femër shqiptare në Eurovizion. Ajo tregon se ndihet e privilegjuar nga fati, që Shqipëria do të përfaqësohet në Eurosong-un e 2016-ës me këngën e saj. Kompozitoret femra mungojnë në muzikën shqiptare, ku produksioni i këngëve shihet si një ‘profesion mashkullor’. Adrian Hila, Edmond Zhulali, Shpëtim Saraçi, Genti Lako, Klodian Qafoku, janë disa prej kompozitorëve, të gjithë meshkuj, me këngët e të cilëve jemi përfaqësuar në Festivalin Evropian.
Menjëherë pas fitores, këngëtarja Eneda Tarifa e ka bërë të qartë se kënga do të këndohet në anglisht në skenën e Suedisë. Kjo sepse, siç tregon Olsa Toqi: ‘kur më lindi motivi i kësaj kënge, vargjet më lindën në anglisht, e unë po e këndoja në anglisht. Më pas u përshtat në shqip, dhe nisa të mendoja për të konkurruar me këtë këngë në festival. Por tani që u bë serioze puna, duhet t’a rishikoj tekstin në anglisht.’ Dëgjoni këngën 'Përrallë', të interpretuar nga Eneda Tarifa në finalen e Festivalit të Këngës: