Relationships > Zona ime nga Balina Bodinaku

Në kërkim të vetes

Ditari (jo) i zakonshëm i një vajze të re, të suksesshme dhe shumë të sinqertë!

Nga Balina Bodinaku ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

I dashur ditar, iku dhe një vit!

E di që kjo ty nuk të thotë ndonjë gjë të madhe. Në fund të fundit, për ty, të gjitha fletët njëlloj janë! Po ato fletët e tua janë ditët e mia. Të mbushurat as që kam qejf fare t’i shoh sa janë. Të bardhat bërtasin: “Shko lexo horoskopin, se për momentin s’kemi gjë për ty!”. Po edhe horoskopi do ca që të dalë. Fiks momenti i qetësisë që më duhet për të reflektuar mbi atë që duhet të bëj (e pandikuar nga horoskopi) në vitin në vijim. Do bëj listën e dëshirave, vendimeve, zotimeve, ndryshimeve. Si fillim, do të merrem me veten. 

Dhe ja ku vjen… vendimi më i rëndësishëm i jetës sime! 

Me të hyrë viti, unë nuk do të jem më unë. Të jemi të qartë. Nuk është se s’më pëlqen vetja (dhe shumë, madje!). Kam qenë shumë rehat me të, po njeriu e do një ndryshim një herë në kaq kohë! Pastaj çdo gjë shkon e vjen sipas tendencave të momentit, kam dëgjuar. Çdo kohë ka modën dhe trendet e saj: në veshje, këpucë, ngjyra, modele flokësh, pra në gjithçka me të cilën veshim veten… e pse vetja duhet t’i shpëtojë kësaj?

Për sqarim. Unë nuk shquhem si një njeri që e ndjek shumë modën. Nuk do të dija të thosha as se çfarë është aktualisht in dhe as se çfarë duhet të evitohet me çdo kusht e në çdo rrethanë. Jam, si të thuash, më shumë një njeri praktik, që shkon pas asaj që i bën punë, që i rri mirë dhe i pëlqen vetes sime. 

Nga ana tjetër, e konsideroj veten dhe shumë emocionale dhe të qenit shumë herë pasionante në zgjedhjet e mia, e bashkuar me prakticitetin, pa dyshim do të më bënin ta ndërroja veten shumë shpesh. Me fjalë të tjera, do të më ndihmonte të mos më mërzitej vetja asnjëherë. 

Po pse vetëm kaq? Të jesh dikush tjetër është më e lehtë sesa të jesh vetvetja. Është edhe më bukur. Pak filma e libra ka, nga ku të vjedh një jetë për veten time të re?! Si fillim, zgjedhja është kaq e pasur me personazhe të stisur me kujdes e deri në detaje nga të tjerë, sa vështirësia qëndron vetëm në zgjedhjen e personazhit që më pëlqen më shumë të jem. Çdo gjë tjetër vjen vetë. P.sh., zgjedhja e stilit tim të veshjes; impostimi në situata të caktuara; mënyra si do t’i përgjigjem asaj qelbësirës, xhelozes, katundares, që kujton se mund të konkurrojë me mua; çfarë do të bëj kur të shoh fiksimin e jetës sime me atë tjetrën në krah… të gjitha këto dhe shumë më tepër, i kanë zgjidhur të tjerët për mua. Unë thjesht do të kopjoj. 

Fjala kopje, në fakt, shumë herë keqkuptohet, po kopja të shpëton. E nëse ajo që të duhet është një jetë, ç’të keqe ka ta marrësh borxh?! Kur merr të gatshme një jetë të krijuar nga të tjerët, nuk ke as probleme. Ose, edhe nëse ke, zgjidhen lehtë fare. 

Njëlloj si nëpër filma. 

P.sh., nëse je e përfshirë në një histori sentimentale që nuk është aspak e tillë, por që do të doje të ishte, mirë është (që të jesh brenda) të kesh disa të tilla paralelisht. Strategjia e sugjeruar nga filmat, në këtë rast, është që secilit nga variantet të cilët frekuenton, t’i japësh të kuptojë se ai është më i miri, më i rëndësishmi, dashuria më e madhe dhe e fundit e jetës tënde, por se është një tjetër ose janë shumë të tjerë, që ndërkohë nuk të lënë të qetë, të ndjekin, xhelozohen, të kërkojnë, vdesin për ty dhe ti s’di si t’ia dalësh me gjithë këto kërkesa. 

Në disa raste (gjithnjë sipas filmave), mund të tentosh dhe t’i mbushësh mendjen atij, “fiksimit”, se ti je shumë e lumtur me dikë tjetër dhe se ai nuk duhet ta marrë vesh për ju, se në fund të fundit ju vetëm seks shoqëror keni! (Meshkujve u pëlqen të mos e ndiejnë peshën e impenjimit. Kjo deklaratë do t’i çlironte dhe, me kësmet, do t’i shpeshtonte takimet. Pastaj dhe egoja mashkullore këtu bën të vetën). 

Të gjitha intrigat femërore për “të eliminuar” konkurrencën, janë gjithashtu të gatshme nga filmat. 

Pastaj, nëse e zgjedh me kujdes personazhin që do të jesh, mund të shpëtosh një herë e përgjithmonë dhe nga disa gjëra që të komplikojnë jetën kot më kot. 

Dinjiteti, p.sh., është një nga fjalët më demode dhe jashtë kohe sot.

Sillet keq ai? Të shtyn? Të refuzon? Nuk është aty për ty ku ti ke nevojë për të? Nuk u përgjigjet dëshirave/ nevojave të tua? Fiks situatë filmash! Pak dramë duhet xhanëm, se ndryshe jeta do ishte kaq monotone! Ti nuk dorëzohesh. Ti je ajo femra e guximshme që, pavarësisht të gjithave, nuk të mbetet hatri. Se ti e tillë je nga natyra: tolerante dhe këmbëngulëse dhe pa një pa dy i shfaqesh te shkallët e shtëpisë dhe rri e pret aty e përlotur. Sigurisht, atij do t’i vijë gjynah (ka zemër dhe ai, ndryshe ti kot nuk e do!), do të të ftojë brenda, do bëni seks dhe gjithçka do duket më mirë pas kësaj.

Ose, ose, në një film tjetër, mund të kishe bërë ndryshe. Në vend të shkallëve të shtëpisë, mund të zgjidhje një lokal, apo ambient ku të shfaqesh “rastësisht”. E ka thënë dhe populli këtë (dhe populli s’flet kot). Nëse do t’i rrish pranë zemrës, duhet t’i dalësh para syve. Në fund të fundit, ti e njeh aq sa të dish se atij nuk do t’i shkonte kurrë mendja të të kërkonte vetë (jo se nuk të do, e qartë kjo, po se ai këtë tip ka). Fare e panevojshme, në këto raste, është të mendosh se pas dy orësh, sytë, kushedi kujt tjetër i kanë hapur derën e zemrës. Hmmm, po pastaj? Ti e pate dyorëshin tënd. Dhe dy orë nuk janë pak! 

Dy orë është pak a shumë dhe kohëzgjatja mesatare e një filmi. 

(E rëndësishme! Cilido të jetë skenari që do të zgjedhësh për veten, mos harro asnjëherë të qash. Qaj! Qaj! Qaj! Kurrë mos nënvlerëso efektin e një të qare si duhet! Në të gjithë filmat e bukur qahet).

Të tradhton? (ufaaa, një tjetër fjalë demode!). D.m.th., ashtu si ty, ai frekuenton për seks dhe dy, tre, katër, apo ku ta dish sa të tjera? Tregohu e zgjuar! Zgjidh një personazh filmi “open minded”. Bëj dhe ti të njëjtën jetë (në fund të fundit dashuria e vërtetë vetëm ai është) dhe e di çfarë? As mos shiko, as mos dëgjo ç’bën e ç’thotë ai. Nuk ke punë ta kuptosh atë. E rëndësishme është çfarë mendon ti dhe jo ai. Në fund të fundit, ti je gocë moderne e nuk i ke problem këto gjëra. Historinë tënde të dashurisë e krijon ti, ashtu siç do ti, ashtu siç ta thotë ty mendja. Je apo s’je personazh filmi?

Për t’i rënë shkurt, jam e sigurt se pas njëfarë kohe praktikë, nuk do kesh më nevojë as të kopjosh, sepse tashmë ti je gati të krijosh filmin tënd, ku personazhi kryesor je vetë. Kjo gjë të zhvillon fantazinë, e cila është e domosdoshme për të ta bërë jetën të bukur. Të gjithë do të të kenë zili, sepse ti je ndryshe nga të gjithë. Ti je e krijuar me porosi. Dhe porosinë e ke bërë vetë.

Ktheje veten në një “drama queen” dhe gjithçka do të duket më e lehtë, më e bukur, më rozë!

Ja pra, i dashur ditar, ku i kam të gjithë argumentet që dua për të mbështetur këtë vendim timin! Dua një jetë të lehtë e të bukur. Vit i Ri, vete e re! Kjo ishteee…!!!

Më mbetet tani të gjej se kush dua të jem…

Nejse, o ditar! Sa të dalë horoskopi, do ma falësh dhe ndonjë lajthitje. Ndonjëherë, kur s’kam ç’bëj, filloj të mendoj gomarlliqe!

Artikuj të ngjashëm