Metropolitan > Kalendari Rock

Arrestohet Eddie Vedder, këngëtari i Pearl Jam (19 Nëntor, 1993)

Ky është Kalendari Rock i Anabel. Për gjithë të apasionuarit e muzikës rock që duan të mesojnë diçka më shumë mbi muzikantët që kanë bërë historinë e kësaj rryme.

Nga Armand Xhuli ~
Shikoni fotot e tjera!    v      
Eddie Vedder
11 Korrik 1993
New Orleans Arena
Koncert i Pearl Jam
New Orleans Arena

Sot, 19 Nëntor... 1993.
New Orleans, SHBA.

Si sot në të gdhirë, këngëtari i Pearl Jam, Eddie Vedder, arrestohet në New Orleans, në atë qytet që amerikanët e quajnë Big Easy, ku grupi nga Seattle është në turne on the road për të promovuar albumin e tyre të dytë “Versus”, pjesë e të cilit është edhe kënga që titullohet “Animal”.

Pearl Jam, janë grupi me i suksesshëm i momentit, ndoshta edhe më të suksesshëm se Nirvana për të cilët folëm dje. Albumi i tyre i ri, “Versus”, brenda javës ka shitur gati 1 milion kopje, një rekord historik. E megjithatë diçka nuk shkon…….

Të stresuar nga presioni i jashtëzakonshëm i shtypit dhe i mediave, djemtë e grupit Pearl Jam janë në kufijtë e një krize nervash. Eddie Vedder, në veçanti, vuan edhe statusin e rockstarit mesian, sikundër e ka vlerësuar masmedia. Statusin mesian, në kuptimin e të dërguarit, e Mesias, pasi kështu e kanë quajtur, Mesia i Rock’n’Rollit. Dhe e gjithë kjo, duke iu referuar mënyrës së tij të performimit dhe teksteve të tij, që janë të gjitha në mbështetje të më të dobëtëve.

Një mbrëmje më parë, më 18 nëntor, grupi performoi në Lake Front Arena në New Orleans. Kur koncerti mbaroi, rreth mesnatës, Eddie Vedder përfundoi në një bar në Decatur Street, së bashku me Jack McDowall, një mikun e tij, lojtar bejsbolli me ekipin e Chicago White Sox dhe me dy anëtare të grupit muzikor Urge Overkill.

Dita ishte gati në agim, kur një farë John Gorman, afrohet tek Eddie Vedder. Fillon t’i bëjë pyetje pa pushim, fillon ta bezdisë, fillon t’i bëjë presion: “Ti nuk je i dërguari im, nuk je Mesia im” – dhe vazhdon t’ia përsërisë – “Nuk je ti Mesia im …”.

“Natyrisht qe nuk jam Mesia yt” – i përgjigjet këngëtari – “Këtë dua të të them ty dhe këtë dua të them edhe me këngët e mia”. 

Por, Gorman fillon të bëhet akoma më i dhunshëm.

Pas idiotizmit të vazhdueshëm të tipit të quajtur Gorman, që mbase në shqip do të kishte edhe kuptim duke iu referuar shprehjes “gore”, Eddie Vedder, nuk duroi dot më dhe tepër i dëshpëruar, e pështyu në fytyrë. Plasi sherri. Pa diskutim, mbërriti policia. Këngëtari ok arrestohet me akuzën shqetësim i rendit publik në gjendje të dehur.

Tepër i nervozuar dhe i nxehur nga sa më lart, por edhe i provokuar nga prania e mediave dhe i gazetarëve, i dëshpëruar edhe nga ndërhyrja e masmedias dhe fansave në jetën private, Eddie Vedder dhe natyrisht gjithë grupi Pearl Jam, në albumin e tyre  të ardhshëm do të publikojnë një pjesë, e cila, në një farë mënyre, kthehet në një himn, himn i privatësisë, privacy hymn.

Me këtë këngë, ku i thuret himn privatësisë, Pearl Jam, për vite me radhë hapën koncertet e tyre dhe kjo e titulluan “Corduroy”, që do të thotë pantallona kadife, në kontekstin e thjeshtësisë. Në tekst thuhet:

“Boll ju durova të hyni në jetën time, nuk mund t’ju lejojë të bridhni në mendjen time, mund t’ju jap dorën, por jo fytyrën. Unë kam lindur vetëm dhe vetëm dua të vdes”.

Nesër 20 Nëntor. Një aksident i vogël i dikujt, bën që dikujt tjetër t’i realizohet një ëndërr e madhe. Qofshi mire kudo qofshi.

Artikuj të ngjashëm