Metropolitan > Cover Story

Tuna, gati për të pushtuar botën!

Thuaj çfarë të duash për Tunën, por për një gjë nuk ia heq dot meritën: Ajo ka një aftësi të jashtëzakonshme të të surprizojë.

Nga Dalina Buzi ~
Shikoni fotot e tjera!    v      
Tuna dhe fansat: "Unë mundohem që përmes këngës dhe performacës time, të ndjehen të gjithë të lirë dhe ta jetojnë jetën si duan ata dhe jo në dirigjim të të tjerëve."
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Tuna prapa skene: "Në skenë jam shumë e sigurt dhe e guximshme, ndërsa pas saj jam Tuna shumë emocionale."
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Tuna mbi debatet publike: "Është e pandershme dhe e papranueshme që dikush që ka pasur vetëm ambicie dhe jo punë, të hyj në luftë me mua. Unë debat bëj vetëm me ata që i kam të nivelit."
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Tuna dhe e ardhmja e saj: "E shoh veten si nënë e mirë dhe një grua në biznes e fuqishme. Por Fenixi ringjallet sa herë që do ..."
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Tuna për Cozman-in: "Njerëzit ndahen, bashkohen, ndahen, prapë bashkohen... jeta vazhdon!!"
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio
Photographer: Linda Cooper / Art Director: Sorapol Chawaphatnakul / Make Up: Portia Ferrari / Hair: Danny Defreitas / Shoot at Blocked Creative Studio

Thuaj çfarë të duash për Tunën, por për një gjë nuk ia heq dot meritën: Ajo ka një aftësi të jashtëzakonshme të të surprizojë. Dukjet dhe zhdukjet e saja janë të famshme dhe sa here shfaqet, krijon një zhurmë të madhe. Nuk është konstante në treg, nuk nxjerr 1 hit çdo tre muaj, por kur e nxjerr, diskutohet kudo: Bën zhurmë muzika dhe bashkëpunimet që zgjedh, bëjnë zhurmë veshjet e saj dhe aksesorët e çuditshëm që promovon nga stilistë të huaj, bën zhurmë edhe jeta personale. Më pas zhduket sërish. Nuk thotë se çfarë është duke bërë, nuk anonçon asgjë. Në instagram, shfaq vetëm foto artistike apo nga koncerte. Ndërkohë lajmet për të nuk ndalin asnjë javë dhe ajo hesht.

Por kjo heshtje e Tunës s’është asgjë tjetër vetëm punë. Ndërkohë që të gjithë mediat, duke përfshirë edhe anabel.al zienin për ndarjen e saj nga Cozman, Tuna më telefonon për të më dhënë një lajm që e kishte bërë shumë të lumtur: Promovimin e këngës së saj më të re  “Knocks me out” në Europë dhe gradualisht në MTV International.

“Cross fingers for Tuna” më shkruan ajo në Viber, duke iu referuar të rejave të fundit. Roton Music, një shtëpi diskografike romune, pjesë e Warner Music që në vitin 2011, tashmë ka marrë distribucionin e “Knocks me out”, një bashkëpunim midis DJ Franques dhe Fatman Scoop. Për ata që jetojnë larg planetit të muzikës POP, Fatman Scoop  (Isaac Freeman) është një “peshë e rëndë” në tregun muzikor botëror. Ai ka realizuar duete me artistë si Timbaland, Missy Elliot, David Guetta, Kat Deluna apo Marvin Priest. Hiti I tij “Be Faithful” ka arritur ne 10-tëshen kryesuese te klasifikimit në shumë vende të botës, përfshirë Anglinë, Irlandën, Belgjikën dhe Australinë.

Jo vetëm Roton Music, por edhe një prej “Faltoreve” të muzikës elektronike në youtube, Kontor TV, (Scooter, ATB, Armin Van Buuren, Martin Solveig janë disa ‘klientë’ të kësaj kompanie)  ka marrë përsipër shpërndarjen e këngës në tregun Europian. Ndërsa kompania fituese e çmimit Grammy, Ultra Music, që momentalisht është kompania më e madhe e pavarur prej korporatave muzikore, do të mbulojë shpërndarjen në tregun amerikan. Kjo që duket si një paragraf teknik, në fakt është një lajm I madh, që nëse realizohet ashtu siç konfirmon Tuna, do të jetë një lajm I bukur për të gjithë muzikën pop shqiptare.

Ja kjo është surpriza e fundit e Tunës. Ndërkohë që mediat presin që ajo të flas për të vërtetat e saj në jetën personale,Tuna vendosë të thyejë heshtjen me punë. Dhe me këtë set fotografik, të realizuar në Londër, ku për të vihen në dispozicion fotografë e artistë grimi të njohur anglezë si edhe veshje nga marka më e nxehtë e momentit në Angli, Sorapol.

Artistja e lindur në Shkup, ndryshe nga këngëtarë të tjerë që kanë hedhur lajme në shtyp pa ndodhur asgjë, preferoi të shprehej vetëm me fakte. Kurse “broçkullat” ajo i lë për mediat online. Megjithatë, ne “broçkullat” na pëlqejnë po aq shumë, ndaj këmbëngula ta pyesja në këtë intervistë me email (Tuna ndodhej në Londër), edhe për të vërtetën me Cozman dhe debate të tjera publike. “Më kanë lodhur shumë këto lajme, do të preferoja të mos u përgjigjesha fare.” Thotë ajo. Megjithatë një përgjigje e dha. Nëntekstin kuptojeni vetë. Fakti që kjo pyetje është diku nga mesi i intervistës, tregon që kur ke përballë një lajm si kjo e bashkëpunimit me shtëpi të mëdha diskografike, jeta personale, aq më tepër një zënkë dashurie sfumohet.

Thuaj ç’të duash për Tunën, por ajo jo vetëm të surprizon, por di të luftojë mirë me armën e saj më të fortë: Punën.

Tuna, do ta fillojmë intervistën me pyetjen për photoshoot-in? Këtë radhë ti punove me një ekip anglez duke nisur nga fotografët, grimieri dhe tek stilisti? Si u ndjeve në këtë set?
Të punosh me njerëz të rangut botëror është adrenalinë më vete. Ishte hera e parë që punova me një staf pa u përfshirë në asnjë detaj. Në set erdhi vet Sorapoli, dizajneri tajlandez që po bën namin në Londër, i preferuari i Minaj. Ai shpërndau pozitivitetin e tij si stilist me dizajnet e veta dhe njëkohësisht duke bërë art directing. Seti ishte produktiv sepse dolën edhe shumë plane të përbashkëta për të ardhmen! Jam mirënjohëse shumë për atë që mësova dhe përjetova, më mungon atmosfera dhe tani...

Kohët e fundit të kemi vënë re të promovosh dizajner që brenda një kohe të shkurtër fitojnë famë , sidomos në rrethin muzikor ndërkombëtar. Janë rastësore këto takime me dizajnera, apo ti bën një kërkim të hollësishëm për të gjetur atë që të duhet për klipin?
Në karrierën time asgjë s’ka qenë e rastësishme. Unë, së bashku me ekipin tim profesional, gjithnjë jemi në gjurmim të asaj që është e re dhe e veçantë. Bota e modës është shumë ngushtë e lidhur me botën e muzikës në veçanti. Kjo ndihet në metropolet si Londra. Planet e mia afatgjata janë të lidhura dhe me modën. Të gjitha miqësitë e mia ndërkombëtare me botën e modes më sjellin edhe më afër publikut tim!Nuk po zbuloj më shumë...   

Ti njihesh si një këngëtare që i paraprin trendeve, madje ndër të paktat që sjell gjithmonë një frymë të re. A mendon se edhe artistët shqiptarë frymëzojnë kolegë, apo të gjithë frymëzohen vetëm nga të mëdhenjtë e botës?
Mendoj që ka të tillë që frymëzohen edhe nga unë edhe nga ata botëror, por magjia është se si duhet  atë frymëzim nga emrat botërore ta sjellësh në një origjinalitet shqiptar.

Të kemi parë edhe në stil shumë femëror edhe në stil mashkullor, por edhe në stil avantgarde? Ti vetë si e përcakton stilin tënd në jetën e përditshme?
(Qesh) Po këto vitet e fundit sikur e kam harruar jetën time të përditshme nga angazhimet e stërmëdha që kam. Por, atë pak kohë që kam, në përditshmëri jam krejt diçka tjetër, jam shumë sportive dhe mundohem të kem një stil më të lehtë dhe më praktik, me atë që ndihem mirë.             

Nëse do të boshatisje gjithë dollapin, çfarë janë 5 veshje/aksesorë që do t'i mbaje? 
Të mbathurat,një palë xhinse, recipeta,një bluzë dhe atletet Huarachi. hahahahahah

Çfarë është një veshje apo stil që ti mendon se s'duhet të ikë kurrë nga moda?
Ajo veshje që ndjehesh shumë komode.

Ke punuar me shumë stilistë dhe dizajnera. E thua ti fjalën finale apo i jep besim të plotë vizionit të atij/asaj që do të të vesh?
Besimi çdo herë ekziston tek ata, sepse unë vetë i kam zgjedhur, por fjala e fundit çdo herë është e imja.

Trupi yt është "transformuar' vitet e fundit dhe këtë e them për mirë. Është një trup më fit, më muskuloz ose siç e themi shqip "më i palestruar" se dikur. Cilat janë sekretet e regjimit tënd?
Njeriu FIT prezanton më shumë se vetëm pamjen fizike sepse pas pamjes FIT qëndron përkushtimi, stili i jetesës, ushqimi, puna në palestër, gjumi, disiplina... Prandaj një njeri FIT duhet respektuar jo për shkak të pamjes, por për shkak të punës që e ka çuar deri te ajo pamje!

Po dietë mban?
Jo dietë, por kontroll të ushqimit, preferoj gjëra të shëndetshme, organike dhe përgatitje me vaj kokosi. Ushqimi është 70% e suksesit.

Pa cfarë ushqimi nuk do të rrije dot? 
Pa ujin.

Tuna, publiku, të paktën çfarë kemi parë në rrjete sociale, ndahet në dy pjesë. Një pjesë do Tunën e "Pirroman" dhe "Bileta" ose shkurt "Tuna pa hip-hop dhe techno-beat" dhe pjesa tjetër dashuron Tunën e "Fenix" dhe bashkëpunimeve me artistë të hip-hopit. Ti vetë, mendon se ka dy Tuna? Apo është thjesht e njëjta "Tuna" që kërkon të sjellë trendet më të reja muzikore?
Hmmmmmm unë jam vetëm një Tunë, me nje alterego që adaptohet në gjithçka që e sfidon kohën. Ashtu siç zhvillohet teknologjia, ashtu duhet edhe artisti të evoluojnë. Mendoj që stili im muzikor nuk ka ndryshuar dhe aq shumë. Ndër këngët e mia të para ka qenë një këngë “Tuna me mikrofon përsëri” me elemente hip-hopi të asaj kohe,që tani e kam shndërruar në një parodi, por ishte revolucion i asaj kohe., Këngët e fundit janëtë kohës!

A ndikon konkurrenca në përzgjedhjet e këngëve të tua?
Asnjëherë. Unë përzgjedh vetëm ato këngë që fillimisht më pëlqejnë mua.    

Do të doja të ndaloja pak tek kënga "Fenix" që u bë super-hit, por mbi të gjitha, "zogu" u kthye në një refren. A u keqkuptua apo u kuptua siç duhet domethënia e "zogut" në këngën tënde? Kishte ndopak nota feminizmi kjo këngë? Pse?
U kuptua dhe u keqkuptua (qesh), por zogun e bëtë ju gazetarët. Unë në klip kam bërë vetëm punën time dhe në një sekondë bëra një provokim të vogël me humorin tim që më pas u bë temë diskutimi, por edhe u pëlqye shumë nga adhuruesit e mi. Ndërsa përsa i përket feminizmit, mendoj se të gjitha femrat janë sado pak feministe në mënyrën e vet.

Në një ambient ende shumë paragjykues ndaj femrave, mendon se të kanë "çliruar" apo të kanë penalizuar veprime që ke bërë në koncerte (si kapja e organit intim) apo zgjedhje veshjesh në klipe etj? 
Koncerti është diçka tjetër dhe unë ndjehem shumë e lirë para publikut që më adhuron mua. Ajo ”kapje” ndoshta ka qenë edhe një lloj ironizimi ndaj gjithë atyre që bënë sensacion nga unë, ndërsa  në klipet e mia unë askund nuk jam zhveshur apo zbuluar. Klipet verore janë me veshje si të gjithë njerëzit kur janë në plazh. Klipet e tjera mendoj që janë trendy dhe nuk jam askund e zhveshur.

A mendon se të kuptojnë mjaftueshëm? Pse?
Mendoj se po. Liria absolute është një mungesë e shumicës së publikut tim dhe unë mundohem që përmes këngës dhe performacës time të ndjehen të gjithë të lirë dhe ta jetojnë jetën si duan ata dhe jo në dirigjim të të tjerëve.

Po shihja një intervistë të Karl Lagerfeld i cili thoshte se në një lloj mënyre "Bota e modës dhe e showbiz-it" është e padrejtë. Ai ishte shumë më i butë se Donatella Versace që rrëfeu për “CNN” se kjo botë është e qelbur. Ti mendon se ka padrejtësi në këtë biznes?
(Qesh) Do të jem pak më e butë se ata të dy (edhe pse nuk janë larg nga e vërteta hahahaha). Në fakt, showbiz-i është shtet më vete, i populluar me një rracë/një komb që dallon nga të gjithë të tjerët - thjesht ka një gjenetikë ndryshe.

Çfarë do t'i thoje një 13-vjeçareje që do të bëhet e famshme si ty, me kaq sa ke mësuar deri më sot? 
Shpirt i vogël e i padjallëzuar, përgatitu të investosh tërë veten tënde në atë që dëshiron të bësh. Përgatitu që do hasësh në njerëz që me insistim do të duan të ndezin djallëzinë tek ty dhe do të të duhet të luftosh me veten për të ngelur ajo që je, sepse e di që e meriton. Sado djaj të takosh në jetë - janë një pikë ujë në oqeanin ëngjëllor të fansave që ke.

Çfarë është një gjë për të cilën ndjen keqardhje se tashmë e ke të privuar nga fama që ke?
Dalja në qytet, bisedat e gjata me shoqërinë time, gjumi që asnjëherë nuk e bëj të plotë etj.

A është Tuna një alterego, apo ajo Tuna e skenës është e njëjta Altunë që njohin edhe miqtë e fëmijërisë dhe prindërit e saj?
Në skenë jam shumë e sigurt dhe e guximshme, ndërsa pas saj jam Tuna shumë emocionale.

A është e vështirë të jesh një femër në këtë showbiz ku vendimet duhet t'i marrësh kryesisht vetë dhe pasojat duhet t'i përballësh vetë? 
Me karrierën time çdo here më ka qëndruar afër një staf profesional (as mami e as babi) siç ndodh me shumë të tjerë. Une çdo herë kam angazhuar njerëzdhe çdo herë i kemi marrë vendimet bashkarisht. Jam e mbrojtur maksimalisht dhe si femër marrë vetëm vendime emicionale, ndërsa për shoëbiz vendos stafi.       

A lexon çfarë thuhet për ty në rrjete sociale? Çfarë mendon për kritikat e njerëzve?
Është çdo gjë publike, liria e rrjeteve sociale është e pandalshme: gjithçka shkruhet dhe mua më vjen mirë sepse kur dikush meret me ty, ti ekziston.

Po lajmet i lexon?
Po, kohë pas kohe.

Le të qëndrojme tek lajmi i fundit: Ndarja jote me Cozman, është një lajm që pushtoi të gjitha mediat dhe vazhdon të përflitet nëse e gjitha kjo ndarje ishte "një shoë" apo është diçka reale? Cila është e vërteta?
Njerëzit ndahen, bashkohen, ndahen, prapë bashkohen…… jeta vazhdon!!

A është e vështirë për një vajzë të famshme shqiptare me jetë personale publike, të njihet apo të pranohet nga një djalë shqiptar?
I riu apo djali shqiptar ka përparuar dhe është civiliziar aq shumë sa të jetë me një femër të popullarizuar është diçka mëse normale. Unë njoh shumë të tillë dhe ata janë kudo rreth nesh.                           

Tuna, le të zbërthejmë pak disa nga ato çfarë thonë disa njerëz që të kanë njohur ose mediat për ty. Do të doja që duke parë si të shohin të tjerët, të kuptonim se ku qëndron e vërteta pas këtyre epiteteve.  "Tuna është e vështirë. Nuk kënaqet asnjëherë kollaj"
Kërkoj shumë dhe jap shumë…

"Tuna është e përkëdhelur. Do që t'i dalë e vetja"
Po jam e përkëdhelur dhe vazhdoj të jem dhe kjo ska pse pengon askënd!

"Tuna është konfliktuale. Krijon shumë debate dhe zënka me miqtë"
Mendoj që jam shumë e drejtë dhe kjo me ka penalizuar shumë.

"Shoqja më e ngushtë e Tunës është vetja e saj"
(Qesh) Shoqja më e ngushtë është një vajzë që e kam si motër që nga fëmijëria, por ajo është vetëm shoqja ime dhe jo e publikut.

Por të qëndrojmë tek "konfliktualiteti", le t'i rikthehemi pak "Dancing ëith the Stars". Një debat i fortë mediatik. Ti fole për një apartament që s'e more dhe më pas heshte kur në media u shfaqën dokumente që ti kishe nënshkruar, ku ishe dakord me çmimin dhe vleren monetare. Përse nuk fole? Si është e vërteta jote?
"Dancing with the stars and Tuna" është një triller që vazhdon. Në këtë pjesë të "filmit" (mendoj aktualisht) Tuna ia ka lënë fjalën avokatëve të saj dhe drejtësisë. Gabimi im i vetëm është që lashë gjërat të ecin me mirëbesim dhe nuk i bëra sytë katër edhe me produksionin edhe me njerëzit që unë kisha angazhuar. Edhe atëherë, edhe tani i kushtoj shumë më shumë kohë skenës muzikore, projekteve të reja dhe fansave se sa një produkti televiziv që vazhdon të bëj PR duke përmendur emrin tim. Trilleri ende nuk ka mbaruar (qesh) dhe siç ndodh në triller fundi do të befasojë.

Mendon se është më mirë të debatosh publikisht me ata që ti mendon se të cënojnë?
Janë shumë gjëra për të cilat hesht, por ndonjëherë shpërthej edhe publikisht. Gjithçka që kam arritur e kam arritur me ambicie dhe mund personal. Është e pandershme dhe e papranueshme që dikush që ka pasur vetëm atë të parën (e them me pikëpyetje dhe këtë), të hyj në luftë me mua. Me pak fjalë, unë mund të publikoj çështje të caktuara, por debat bëj vetëm me ata që i kam të nivelit.

Çfarë të ka mësuar konkurrenca?
Nuk e kuptoj nocionin konkurrencë.    

Je bërë më e fortë apo më e ndjeshme me kalimin e kohës?
Më e fortë nga jashtë, më e butë nga brenda si gaforre.   

Meqë po flasim për ndjeshmërinë, çfarë mendon për fëmijët? A e ke familjen një ëndërr të largët apo të afërt?  Ëndërr shumë e afërt, por edhe këtu fatit nuk i dihet.

Sa fëmijë do të doje? 
Tre: dy djem dhe një vajzë.

Kur lidhesh me dikë, a e sheh si bashkëshort potencial, apo mendon "Le të shijojmë të tashmen”?
Çdo femër normale në një lidhje e sheh të dashurin si bashkëshort potencial, por zakonisht zhgënjehet. Gjithsesi e njëjta gjë ndodh dhe me partnerin e radhës. Edhe unë kështu mendoj.

E kthen kokën nga e kaluara? Ka vlerë e kaluara për ty?
Po, e kthej sepse pa të kaluarën nuk ndërtohet e ardhmja. Sigurisht që ka shumë vlera.         

Do të doje të kishe lindur në një vend tjetër? Ku? Pse?
Nuk e kam menduar këtë gjë edhe pse kam shëtitur gjithë botën. Më pëlqejnë shumë vende të botës,  por vendlindja është diçka e shenjtë.                          

Nëse do të jepej shansi të takoje një njeri të famshëm në botë, ose idhullin tënd kush do të ishte ai/ajo? Pse
(Qesh) Kjo dëshirë sikur më është zbehur totalisht kohëve të fundit.

Nëse do të ndodhte një ditë (me kalimin e moshës) që ti nuk do të ishe "aq hot" në skenë dhe në suksessa je sot, si do ta rishpikje veten? Çfarë do të bëje? Do të vazhdoje në muzikë apo do të bëje diçka tjetër?
Jo “nëse” do të ndodhte, sepse kjo do të ndodhë me mua dhe me mbarë njerëzimin. Jeta është proces, s’e ndal kush. Sigurisht që pas një kohë relativisht të gjatë e shoh veten si nënë e mirë dhe një grua në biznes e fuqishme. Por Fenixi ringjallet sa herë që do, kështuqë...   

A beson në fat, apo vetëm në punë? 
99% në punë dhe 1 % në fat.

Nga 1-10 sa je e kenaqur me gjithçka çfarë ke arritur sot?
7.

Ka një njeri në veçanti që ndoshta ia dedikon suksesin? 
Jo vetëm një, por janë shumë. Ata janë të afërmit e mi të cilët më kanë dashur edhe kur nuk kam qenë e popullarizuar.


Shkrimi dhe fotot janë pronësi intelektuale e Anabel dhe çdo ripublikim i tyre, pa lejen e shkruar të Anabel, është i dënueshëm me ligj.


CREDITS:

Photographer: Linda Cooper
(www.lindakupo.co.uk)
Art Director: Sorapol Chawaphatnakul
(www.sorapol.co.uk)
Make Up: Portia Ferrari
(www.portiaferrari.com)
Hair: Danny Defreitas
(www.dannydefreitas.com)
Shoot at Blocked Creative Studio
(www.blocked.international)

All haute couture pieces by Sorapol London www.sorapol.co.uk

Artikuj të ngjashëm