Relationships > Zona ime nga Balina Bodinaku

I dashur ditar, më lër të të prezantohem!

Ditari (jo) i zakonshëm i një vajze të re, të suksesshme dhe shumë të sinqertë!

Nga Balina Bodinaku ~
Shikoni fotot e tjera!    v      

Quhem Balina, 36 vjeçe, lindur e rritur në Tiranë.

Kur isha e vogël, qejfi i mamit ishte të më vishte me fustane e të më vendoste lloj-lloj karficash të bukura me fjongo e flutura, të më mësonte të qëndisja, të mos fishkëlleja, të mos luaja futboll me çunat e lagjes dhe të më tregonte përralla.

Kur u rrita ca, qejfi im ishte të vishja pantallona (që i ngushtoja fshehurazi në makinën qepëse që më kishte mësuar mami ta përdorja për të qëndisur). Lashë qëndismat mënjanë, mbusha dhomën time me fotografi dhe revista futbolli dhe vazhdova të lexoja përralla fshehurazi mamit (se tashmë isha rritur).

Tani që u rrita vërtet, qejfi i të dashurit tim është te fustanet. S’e ka aq të rëndësishme t’u kthehem qëndismave, ama futbollin do ta shohë vetëm (se futbolli s’është sport për goca) dhe mbi të gjitha nuk di ç’të bëjë që unë të heq dorë njëherë e përgjithmonë nga përrallat (të cilat vazhdoj t’i lexoj).

E kapa veten sot disa herë gjatë ditës duke menduar se si ka mundësi që, megjithëse vite larg në gjithçka, si ka mundësi pra, që herë pas here më duket sikur mami dhe i dashuri im ngjajnë në diçka?!! Së fundmi, edhe në qëndrimin ndaj përrallave!
-
U bë ca kohë që edhe mami ka filluar të më bëjë thirrje të jem me këmbë në tokë, se “jeta nuk është përrallë”. (Eh, mi ma, u kujtove? Dëmin e ke bërë ama! Se më rrite duke më treguar përralla me princa që dashurohen me shikimin e parë dhe që pasi e shpëtojnë dashurinë e tyre nga shtriga e keqe, jetojnë të lumtur përgjithmonë. Dhe kaq. Këtu i le përrallat, te pjesa më e bukur. Po deri këtu, edhe pa përralla, di të vij vetë, o ma. Më pas, më pas e kam hallin unë. Më pas si i bëhet? Ç’ndodh më pas? Apo rregullohen vetë gjërat, mjafton që të jem “me këmbë në tokë”?).

Nejse, se po të lodh, o ditar!

Ja, këto mendime më bridhnin nëpër kokë edhe kur u ula për kafe me dy shokë të mi të vjetër, një çift shumë i bukur kur i sheh e që pas shumë vitesh frekuentim, menduan të provojnë të jetojnë bashkë.

I gjeta duke debatuar për diçka. Po sa u ula, mora frymë më në fund e freskuar nga ajri i kondicionuar i lokalit, sa pashë menynë, sa dhashë porosinë dhe shkëmbeva nja dy batuta me kamerierin, m’u deshën pra nja 10 minuta që të isha gati të përfshihesha dhe unë në atë që po diskutohej. Mirëpo, akoma pa marrë vesh mirë për çfarë po flitej, ky shoku im, si me shaka, ndoshta dhe për të devijuar pak bisedën që po ashpërsohej, ia pret: “Një gjë s’kuptoj unë. Nuk të ka mësuar mami ty që burrit nuk i kthehet fjala në sy të njerëzve?” (Mooos, ja… prapë mami… prapë i dashuri… Sa kujtova se po shpëtoja nga këto mendime).

Nga ana tjetër, duke injoruar shakanë e të dashurit dhe pa u kushtëzuar aspak nga prania ime aty, shoqja i kthehet më serioze se kurrë: “Po ty mami nuk të ka mësuar që kur dy njerëz jetojnë bashkë, vendimet i marrin bashkë? Apo mami jot e kishte mendjen të të mësonte ato që duhej të më mësonte mua mami?”.
(Epo kjo punë…).
Me pak fjalë, gjithçka kishte nisur si një dëshirë e këtij shokut tim për të ftuar në shtëpi disa miq të tij për të parë bashkë ndeshjen e futbollit. Deri këtu OK, sikur kjo shoqja ime, shumë e lumtur që po i jepej rasti ta tregonte veten një amvisë mikpritëse, të mos shtonte shpejt e shpejt në listën e të ftuarve dhe gjithë të dashurat dhe bashkëshortet respektive. Reagimi impulsiv i të dashurit të saj, i prerë në vendimin e tij që asnjë vajzë të mos lejohej të ndiqte futbollin me ta, sigurisht nuk mund të kalonte aq lehtë. Si guxonte ai? Po ajo s’kishte të drejta? Apo tani që po jetonin bashkë, vendoste ai për gjithçka? E ç’kishte në fund të fundit të shikonin ndeshjen të gjithë bashkë? Më shumë njerëz, më shumë rrëmujë, më shumë qejf… E çfarë pastaj se atyre nuk u interesonte dhe as që merrnin vesh nga futbolli? S’ka gjë, ato do të rrinin për shoqëri, për gallatë; ç’të keqe ka këtu?

Përse duhet që gjërat të jenë kaq të ndara, si tualetet nëpër lokale?

Po të kisha qëndruar dhe pak me ta, do të kisha mësuar gjithë historikun e zënkave të tyre që ditën e parë, por nuk desha (se më mjaftojnë të miat).

Rrugës, në qetësinë e makinës ama, ajo pyetja e fundit filloi të më trokiste në kokë si ato akrepat bezdisës të orës në dhomë, që nuk i dëgjon kurrë, përveçse kur është duke të të zënë gjumi.

A janë vërtet gjërat kaq të ndara mes meshkujve dhe femrave (si tualetet nëpër lokale)?
Kush ka të drejtë? Mami im, apo unë? Shoqja ime, apo i dashuri i saj?

Një nga gjërat që duhet të dish që në fillim për mua, është se më pëlqen futbolli. Pavarësisht përpjekjeve të mamit tim për të më larguar nga ai, unë edhe e kam ndjekur që e vogël fare, edhe e kam luajtur deri pak kohë më parë. E shijoj një ndeshje të mirë, aq sa ato më të rëndësishmet kam qejf t’i shoh vetëm në shtëpi, pa njerëz të tjerë rrotull, që nuk do më lejonin përqendrimin e nevojshëm.

E kuptoj shokun tim. Kur një gjë e ke pasion, është e vështirë ta ndash me njerëz që nuk e vlerësojnë po aq sa ty.
Nga ana tjetër, dhe shoqja ime nuk ka faj. E kuptoj si veten. Sa inat më erdhi kur i dashuri im, shumë tifoz, më tha për herë të parë, fare natyrshëm e pa të keq, që do takoheshim pas ndeshjes, se ai ndeshjet i sheh vetëm! Çfarë? Unë i shoh vetëm për vete dhe as që më shkon mendja t’i shoh me njeri, po këtë e bëj se kështu më pëlqen. Unë nuk besoj në “gjëra meshkujsh” dhe “gjëra femrash”. Aq më pak besoj se ka gjëra që nuk bëjnë për mua, se jam vajzë. Kur nuk ia doli mami im, nuk ka njeri në faqe të dheut të më bindë për këtë!

Duhet të nxitoj të marr një vendim, se po parkoj dhe s’kam shumë kohë. Edhe pak dhe do të jem duke u ngjitur sipër, të lë gjërat që kam me vete në makinë, të puth të dashurin dhe pastaj të ndahemi për t’u takuar prapë pas ndeshjes (edhe këtë, veç e veç do ta shohim). Tani ç’të bëj? T’i bie shkurt e të largohem shpejt, se fillon ndeshja? Apo... ta hap prapë këtë temë? E pse të mos e shohim ndeshjen bashkë? E ç’ka këtu? (Unë e di si do të shkojë, por prapë është e rëndësishme që ai të mos mendojë se unë u dorëzova).

Po kur hapa gojën të flas, nuk bëra as njërën, as tjetrën. Sikur nuk kisha qenë unë që deri pak minutash vërtitej sa andej-këtej në atë vorbull mendimesh që s’u dukej fundi, i thashë të dashurit tim se që sot e tutje nuk do të debatonim më për ndeshjet. Se unë në të vërtetë e kisha bërë këtë gjë vetëm për t’u ngacmuar. Se edhe unë gjithmonë vetëm i shikoja ndeshjet dhe e dija shumë mirë se përse ai e bënte një gjë të tillë.

Nuk isha unë që flisja. Goja hapej vetë dhe fjalët dilnin po vetë, pa më pyetur fare mua. Nuk do kem qenë shumë në terezi në atë moment, se të kisha qenë, do ta kisha vënë re që në fillim se të dashurin tim e kishte kapur një e qeshur me lot e po mbante barkun me dorë.

“Jooo, kjo s’është Balina që njoh unë. Asnjë fjalë nuk të besoj. Po lëri këto dhe hajde ulu të shohim ndeshjen, se po e humbëm, do jetë (si gjithmonë) faji yt.”

E kështu, ai pa ndeshjen, ndërsa unë u zhyta më keq në mendimet e mia.

Me sa duket, qenka e vërtetë! Nëse buzëqesh, do të të buzëqeshin. Nëse jep, do të të japin. Nëse fal, do të të falin. Nëse kupton, do të të kuptojnë. Nëse do, do të të duan.

E nëse të duan, asgjë nuk është më e ndarë si tualetet në lokale.

E kështu, i dashur ditar, përfundimisht, ndeshjet duhen parë veç e veç!

Artikuj të ngjashëm